Lajme

Kosovë: Gjenden mbetje mortore në Leshan të Suharekës


Ilutrim

Ashtu si çdo vit edhe këtë Bajram, një banor i fshatit Leshan në komunën e Suharekës, ka pastruar varrezat e fshatit.

Gjatë pastrimit, mbi sipërfaqen e tokës kishte parë eshtra – gjë e pazakontë, përkundër se në varreza.

“As ai nuk ka qenë në dijeni se si e të kujt janë ata eshtra, por fillimisht ka dyshuar dhe ka lajmëruar organet e rendit”, ka thënë Vesel Gashi, zëdhënës i Policisë rajonale të Prizrenit për Albanian Post.

Mbetjet mortore, sic ka treguar Veseli, janë gjetur në afërsi të një varri, të cilat kanë dalë në pah teksa banori në fjalë po i pastronte ato.

“Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësiti i krimeve të luftës dhe Instituti i Mjekësisë Ligjore dhe i kanë tërhequr ato”, ka thënë Veseli.

Nuk janë dhënë më shumë detaje rreth vendndodhjes se ku u gjetën këta eshtra dhe pse nuk ishin parë më herët, “u takon organeve të hetuesisë të merren me këtë rast”, tha Veseli.

“Tani me rastin po merret njësiti i krimeve të luftës. Eshtrat janë dërguar në IML. Nuk dihet se cilës periudhe kohore i takojnë ato”.

Në mars të vitit 2015, ngjashëm si me këtë rast, një banor i po këtij fshati duke hapur një varr për të varrosur një bashkëfshatarë, kishte hasur në disa eshtra dhe rroba.

U dyshua për varrezë masive. Në vendin e ngjarjes dolën organet e rendit, Mjekësia ligjore dhe prokuroria të cilët proceduan me rastin.

Fshati Leshan i Suharekës akoma numëron disa persona të pagjetur në listën e të zhdukurve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore