Kosova

Gjakovë: Policët e aksidentuar nga ngasësi i dehur, janë në gjendje të mirë


Të martën mbrëma rreth orës 20: 40 minuta ka ndodhur një aksident trafiku në aksin rrugor të rrugës nacionale Qafë Morinë–Ponoshec, ku një person ka goditur me veturë dy zyrtarë policorë.

Komandanti i Policisë së Trafikut në Drejtorinë Rajonale të Policisë në Gjakovë, Albin Sahatçiu, ka treguar se deri te aksidenti erdhi për shkak të mospërshtatjes së shpejtësisë dhe kushteve të rrugës së drejtuesit të automjetit i cili ishte shtetas shqiptar.

Si pasojë e ka humbur kontrollin ndaj mjetit të tij duke dal në anën e kundërt të rrugës dhe duke u përplasur te automjeti i zyrtarit të policisë, i cili ka qenë i ndalur në pikë kontrolli.

“Si pasojë e këtij aksidenti janë goditur edhe dy policë që ishin aty në pikën e kontrollit, dhe gjendja e tyre është e mirë. Njëri polic është ndalur në repartin e urgjencës në Gjakovë, por lëndimet janë jashtë rrezikut për jetën, ndërsa zyrtari tjetër policor veçse është liruar në shtëpi”, ka thënë Sahatçiu.

“Sipas policisë, drejtuesi i mjetit ka qenë i dehur”.

“I është bërë testi i alkoolit, dhe ka rezultuar që është i dehur. Ai është arrestuar dhe me hetimet e këtij aksidenti janë duke u marr zyrtarët policorë, përfshirë edhe prokurori”, deklaroi Sahatçiu.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore