Lajme

Gërvalla: Marrëveshjen e 27 shkurtit e shohim si ligjërisht të detyrueshme – presim nga Serbia ta zbatojë


Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, pas takimit në Bruksel të ministrave të bllokut, ku në Këshillin e Punëve të Jashtme u diskutua për situatën në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, theksoi se e ka paraqitur qëndrimin e Kosovës se Marrëveshja e Brukselit e arritur më 27 shkurt në Bruksel duhet të zbatohet, por sipas saj këtë nuk po e bën Serbia.

“E shohim si marrëveshje ligjërisht të detyrueshme. Sinjalet janë jo të mira, ngase edhe ju jeni dëshmitarë se presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiç, por dhe shumë të tjerë, në vazhdimësi jo vetëm që refuzojnë implementimin, por edhe mohojnë ekzistencën e një marrëveshje të tillë”, tha Gërvalla pas takimit.

Ajo po ashtu potencoi se takimi me zyrtarët e BE-së ishte i “frytshëm” dhe u diskutua për sfidat që po përballet Evropa dhe Ukraina, por edhe për integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE.

“Është e rëndësishme që të takohemi sa më shpesh që të mundemi sepse nga ky dialog ne shpresojmë që të kemi një proces më të mirë dhe më të shpejtë të integrimit të Ballkanit Perëndimor në BE”, tha ajo.

Gërvalla tha po ashtu se në takim disa pjesëmarrës “theksuan se është e rëndësishme që të gjitha shtetet e rajonit të mbështesin politikën e jashtme të BE-së dhe se sanksionet janë pjesë e politikës së jashtme dhe të sigurisë të Evropës”.

Temat kryesore të takimit në Bruksel, përveç raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, ishin edhe situata në Bosnje e Hercegovinë, bashkëpunimi rajonal dhe ndikimi i Rusisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore