Lajme

Gërvalla falënderon aleatët që s’e lejuan seancën propagandistike të Rusisë në OKB


Donika Gërvalla-Swcharz

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Swcharz, nëpërmjet një postimi në “Facebook” të hënën pas mesnatës, tha se Rusia ngeli e vetme në përpjekje për ta shtrembëruar të vërtetën, pas dështimit që të nxisë debat në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (OKB) mbi 25-vjetorin e bombardimeve të aletatëve NATO-s.

Ajo përshëndeti unitetin e partnerëve, miqve dhe aleatëve të Kosovës në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për moslejimin e mbajtjes së seancëS propagandistike – një tentativë e Rusisë për të ngritur paralele absurde dhe të papranueshme mes ndërhyrjes humanitare të aleatëve të NATO-s në Kosovë dhe luftës agresive për aneksimin e territorit të Ukrainës.

“Rusia mbeti e vetme në përpjekjet e saj të rrezikshme për ta shfrytëzuar Këshillin e Sigurimit për të shtrembëruar të vërtetën”, shkroi kryediplomatja kosovare pas votimit procedural të Këshillit të Sigurimit të OKB-së që nuk miratoi agjendën e përkohshme të rendit të ditës, ku ishte kërkesa e Rusisë për të mbajtur seancë të jashtëzakonshme për Kosovën.

Ndërhyrja ushtarake në Kosovë konsiderohet një ndër sukseset më të rëndësishme të NATO-s, përkundër se përbente rastin e parë në histori që aleanca ndërmerrte një veprim ushtarak në territorin evropian. Wesley Clark, gjenerali amerikan dhe komandanti i përgjithshëm i forcave evropiane të NATO-s, udhëhoqi sulmet ajrore që zgjatën plot 78 ditë.

Më 24 mars u bënë një çerek shekulli nga fillimi i sulmeve ajrore të NATO-s kundër caqeve ushtarake dhe policore serbe në Kosovë, Serbi dhe Mal të Zi, ndërsa vendimi ishte përligjur nga mbështetja e gjerë transatlantike dhe kërcënimi i një katastrofe humanitare – rasti i parë që NATO ndërhyn në një territor sovran pa pasur mandat të Këshillit të Sigurimit.

Ndryshe, ndërhyrja humanitare dhe ushtarake e NATO-s në vitin 1999 shkaktoi një debat të madh ndërkombëtar dhe një ndarje ndërjmet fuqive të mëdha perëndimore dhe Rusisë. Megjithatë, pavarësisht rezistencës nga Serbia, Rusia, Kina e India, shqiptarët e Kosovës fituan njohjen nga të gjitha fuqitë perëndimore dhe nga një dyzinë vendesh të tjera.

Rruga e SHBA-ve deri në bombardimin e Serbisë që lëndoi “nderin” evropian

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore