Lajme

Gërvalla e falënderon kryediplomatin çek për punën në procesin e liberalizimit të vizave


Donika Gërvalla dhe Jan Lipavsku

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, të martën në Pragë ka takuar homologun e saj çek, Jan Lipavsky, me të cilin ka biseduar për zhvillimin e raporteve ndërshtetërore si dhe për përkushtimin e thellimit të mëtejshëm të këtyre raporteve.

Në komunikatën e lëshuar nga diplomacia kosovare thuhet se ministrja Gërvalla vlerësoi lart mbështetjen e vazhdueshme të Çekisë ndaj Kosovës në rrugën e saj drejt integrimit euro-atlantik dhe në veçanti për mbështetjen dhe punën e palodhur për liberalizimin e vizave.

“Ajo shtoi se Republika e Kosovës e konsideron Republikën Çeke si aleate të rëndësishme me të cilën ndanë vlera dhe vizion të përbashkët për paqe, prosperitet dhe integrim euro-atlantik andaj sheh potencial të madh për zgjerimin dhe thellimin e marrëdhënieve dypalëshe”, thuhet në komunikatë.

Kryediplomatja kosovare, përveç takimit me kreun e diplomacisë çeke, do të takohet edhe me ministrin çek për Çështje Evropiane, Martin Dvorak dhe nënkryetaren e parë të Dhomës së deputetëve të Parlamentit të Çekisë, Vera Kovarova.

Republika Çeke – e cila pati udhëhequr presidencën gjashtëmujore të Bashkimit Evropian – kërkoi që liberalizimi i vizave për Kosovën të fuqizohet më 1 dhjetor të vitit 2023. Presidenca çeke pati shprehur dëshirën që të gjitha vendet e BE-së të arrijnë konsensus gjatë presidencës së saj për të mbështetur liberalizimin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore