Lajme

Gaza pa rrugëdalje, askund nuk ka siguri


Ahmedi ishte një djalë 9-vjeçar.

Ai mbërriti në spitalin al-Aksa në Deir Al-Balah – ku u morën shumë nga të plagosurit nga sulmet ajrore izraelite – disa ditë më parë.

Ai ndërroi jetë atje pasi mbërriti nga një zonë që duhej të ishte e sigurt, pas urdhrit izraelit për evakuim.

Gemma Connell, kreu i ekipit humanitar të OKB-së në Gaza, e cila ka qenë atje për javë të tëra, dëshmoi për këtë.

Më 25 dhjetor, e ka përshkruar situatën si një “dërrasë shahu njerëzore” në të cilën mijëra njerëz, tashmë të zhvendosur shumë herë, jetojnë në arrati pa garancinë më të vogël për të arritur një vend të sigurt.

Nata e Krishtlindjeve në Gazën qendrore dhe jugore ishte një nga më të përgjakshmet në muajt e fundit.

Një lumë njerëzish vazhduan të merrnin urdhra evakuimi nga ushtria izraelite dhe lëvizën masivisht, në kërkim të strehës që rezulton e pamundur, sepse zonat e përcaktuara si të sigurta rezultojnë të jenë ose po aq të rrezikshme sa ato nga kanë ardhur ose po aq të populluara, sa nuk mund të garantohet ushqim dhe strehim për të gjithë

Shifrat flasin vetë për tragjedinë humanitare në Gaza.

Sipas të dhënave të OKB-së, 1.9 milionë palestinezë – që korrespondon me afërsisht 80 për qind të popullsisë – janë zhvendosur brenda vendit.

Bombardimi pa dallim i Izraelit ka dëmtuar 250 mijë njësi banimi dhe ka shkatërruar 50 mijë të tjera.

Më shumë se një milion njerëz, edhe nëse luftimet do të ndalonin nesër, nuk do të kishin një shtëpi të sigurt ku të ktheheshin për të banuar.

Ofensiva izraelite po e shtyn popullsinë e Gazës gjithnjë e më në jug, shkatërrimi i shtëpive, infrastruktura civile dhe bombardimet e vazhdueshme e kanë bërë Gazën të pajetueshme, me rezultat që mundësia e një zhvendosjeje masive e palestinezëve po shfaqet me shqetësim në rritje drejt Egjiptit.

Kjo e fundit, një perspektivë edhe më alarmante në dritën e deklaratave të fundit, eksplicite të zyrtarëve izraelitë që mbështesin hipotezën se çfarë do të përbënte në fakt një dëbim masiv pa strehim adekuat, por mbi të gjitha pa garancinë, për qindra mijëra njerëz, të një kthimi në shtëpi pasi të kenë pushuar armiqësitë.

“Nxitja për dëbimin e pakthyeshëm të qindra mijëra njerëzve minon zgjidhjen e këtij konflikti në mes të dekadave të krizave të refugjatëve. Komuniteti ndërkombëtar ka për detyrë të dënojë pa mëdyshje çdo zhvendosje të detyruar të palestinezëve, brenda dhe jashtë Rripit të Gazës”, sipas Jan Egeland, sekretari i përgjithshëm i Këshillit Norvegjez të Refugjatëve.

Më 26 dhjetor, ai përsëriti se transferimi dhe dëbimi i detyruar i palestinezëve përtej kufirit do të përbënte një shkelje të rëndë të ligjit ndërkombëtar, “një krim mizor”.

Për të përforcuar deklaratat e Egeland, shifrat e publikuara nga UNRWA, e cila, duke denoncuar zhvendosjen e detyruar, fliste për mbi 150 mijë njerëz – fëmijë të vegjël, gra shtatzëna, persona me aftësi të kufizuara dhe të moshuar – që nuk kanë ku të shkojnë të detyruar të shpërnguleshin sërish nga zonat qendrore drejt pjesës jugore.

Pasi forcat izraelite forcuan përparimin e tyre dhe intensifikuan operacionet tokësore në javën rreth Krishtlindjes, civilët po largohen gjithashtu nga rrethet e populluara të Nusseirat, Bureij dhe Maghazi në Gazën qendrore dhe po shkojnë në jug ose në perëndim në qytetin tashmë të mbipopulluar të Deir al-Balah, përgjatë bregdetit të Mesdheut, duke kërkuar strehim në kampe dhe qytete të improvizuara me tenda, pa ujë dhe ushqim të mjaftueshëm.

Gjysma e banorëve të Gazës rrezikojnë të vdesin nga uria dhe organizata të tilla si Human Rights Watch dhe Oxfam, duke dënuar vështirësitë në marrjen e ndihmës humanitare, kanë deklaruar vazhdimisht në këto tre muaj lufte se uria përdoret si një “armë lufte kundër civilët”.

Toka bujqësore, furra buke dhe magazina ushqimore u shkatërruan ose u dëmtuan rëndë.

Një muaj pas luftës, të gjitha furrat e bukës në Gazën veriore ishin mbyllur për shkak të mungesës së furnizimit me miell.

Drejtoresha rajonale e Oxfam për Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut, Sally Abi Khalil, javën e kaluar, duke reaguar ndaj raportit të Klasifikimit të Fazës së Sigurisë Ushqimore të Integruar (IPC), i cili paralajmëroi për mundësinë e një zie urie të afërt në Gaza, ka thënë se “zbritja tronditëse e Gazës në uri ishte aq e parashikueshme sa ishte e paramenduar, një krim lufte i vazhdueshëm nga qeveria izraelite”.

Sipas saj, sulmet izraelite kanë shkatërruar sistemin ushqimor tashmë të brishtë të Gazës në mënyrë aq katastrofike sa që shumica e njerëzve nuk janë më në gjendje të ushqehen.

“Është e neveritshme dhe e vështirë të konceptohet në vitin 2023 që ushqimi të përdoret si armë kundër grave, fëmijëve dhe foshnjave, të moshuarve dhe të sëmurëve. Tmerri i ndjerë nga një nënë e paaftë për të ushqyer fëmijën e saj me gji është tmerri i Gazës sot”, ka theksuar Abi Khalil.

Dhe videot e javëve të fundit e dëshmojnë këtë. Tregojnë qindra palestinezë që rrethojnë kamionë me ndihma, ujë dhe furnizime.

Një raport i Qendrës Palestineze për të Drejtat e Njeriut (PCHR) dhe Al Mezan, një organizatë e të drejtave të njeriut me bazë në kampin e refugjatëve Jabalia të Gazës, më 14 dhjetor raportoi se njerëzit pranë qendrave të shpërndarjes së ushqimit në Rafah duhej të prisnin në radhë për dhjetë orë, pastaj të shkonin në shtëpi me duar bosh.

Marwan, një palestinez që iku në jug me gruan e tij shtatzënë dhe dy fëmijët e tjerë të vegjël, i ka treguar Human Rights Watch se duhej të ecte tre kilometra çdo ditë, me rrezikun e goditjes nga bombardimet, për të marrë një litër ujë për fëmijët e tij.

Gjithçka mungon, ekipet e OBSH-së në terren përshkruajnë njerëz të shtrirë në dysheme me dhimbje të forta, në agoni, por nuk kërkojnë lehtësim dhimbjeje, kërkojnë ujë.

Disa qindra kamionë me ndihma që hynë nuk ishin të mjaftueshëm.

Philippe Lazzarini, kreu i agjencisë së OKB-së për refugjatët palestinezë, ka bërë thirrje për “një rrjedhë të konsiderueshme, në shkallë të gjerë, të pandërprerë dhe të pakushtëzuar të nevojave themelore”.

Por edhe kur kamionët arrijnë të hyjnë, ndërprerjet e furnizimit me energji e bëjnë të pamundur organizimin e shpërndarjes së ndihmave, sepse pa rrjete telefonike dhe lidhje interneti, agjencitë e ndihmës nuk janë në gjendje të koordinojnë shpërndarjen e ndihmës, gjë që tashmë është e vështirë për shkak se nuk ka karburant të mjaftueshëm.

Në qytetin kryesor të Gazës jugore, Khan Younis, bombardimet u intensifikuan dje dhe zona përreth spitalit, në perëndim të pozicioneve izraelite, u godit.

Është pikërisht situata e infrastrukturës shëndetësore ajo që është më alarmante.

Sipas një raporti të fundit, ashpërsia e lëndimeve dhe numri i madh i pacientëve po e shtyjnë sistemin shëndetësor të Gazës në pikën e thyerjes edhe në jug, pas kolapsit në veri.

Sot, sipas OBSH-së, vetëm 15 nga 36 spitalet në Gaza funksionojnë me kapacitet të plotë.

Në spitalin Al Aksa, në zonën qendrore të Gazës, rreth një në tre pacientë u deklarua i vdekur në mbërritje.

Vetëm në datën 6 dhjetor, numri i personave të vdekur në spital e ka kaluar numrin e të plagosurve.

Që nga 7 tetori, 20 mijë e 900 njerëz kanë vdekur dhe 55 mijë janë plagosur në Rripin e Gazës.

Shumica janë gra dhe fëmijë.

Teksa palestinezët vazhdojnë të numërojnë të vdekurit, kryeministri izraelit ka premtuar të vazhdojë luftën “deri në shkatërrimin e plotë të Hamasit”, pavarësisht presionit nga aleatët e tij.

Deklaratat e tij konfirmojnë fjalët e ministrit të Mbrojtjes dhe shefit të Shtabit: “Ofensiva në Gaza do të vazhdojë për muaj, nëse jo vite”.

Ajo do të vazhdojë dhe ndërkohë do të intensifikohet, numri i vdekjeve rritet dhe është gjithnjë e më e qartë se nuk ka vend të sigurt në Gaza.

Marrë nga “La Stampa”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore