Lajme

Gati 15 mijë pako me fletëvotime arrijnë nga diaspora


Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të Kosovës është duke vazhduar të pranojë pako të supozuara me fletëvotime të cilat po vijnë nga jashtë vendit në kuadër të periudhës së votimit përmes postës.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, tha për Albanian Post se deri më tani numri i pakove të supozuara me fletëvotime që janë pranuar është 14 mijë e 625.

Ai shtoi se pranimi i këtyre pakove po bëhet me përcjelljen e Policisë së Kosovës si dhe vëzhguesve të subjekteve politike dhe organizatave jo-qeveritare të akredituara.

Nga 130 mijë e 168 aplikacione për regjistrim, nga diaspora janë certifikuar 102 mijë e 100 aplikues.

28 mijë e 68 aplikacionet e refuzuara janë raste të cilët nuk i kanë plotësuar kriteret e aplikimit.

Prej tyre 15 mijë e 933 aplikues janë refuzuar sepse kanë dërguar vetëm formularin e aplikimit për regjistrim, ndërsa 11 mijë e 164 aplikues nuk i kanë dëshmuar identitetin ose kriterin e zotësisë juridike dhe ose aplikacionet për regjistrim kanë qenë të panënshkruara.

Në këto zgjedhje janë certifikuar 28 subjekte politike.

Ndërsa votues, sipas të dhënave zyrtare të KQZ-së, janë një milion e 794 mijë e 862.

Kjo shifër e votuesve është më e vogël se në zgjedhjet e kaluara.

Janë 143 mijë e gjashtë votues më pak se në zgjedhjet parlamentare të vitit 2019, kjo për arsyen e pastrimit të listave zgjedhore.

Gjithashtu, numri ka rënë edhe për faktin se KQZ ka vendosur që t’i largojë nga lista persona të cilët posedojnë vetëm dokumente të identifikimit të lëshuar nga UNMIK-u.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore