Lajme

Gastronomët paralajmërojnë protestë para Qeverisë më 15 dhjetor


Ilustrim

Shoqata e Gastronomëve të Kosovës dhe Odës së Hotelierisë e Turizmit, ka paralajmëruar protestë për të mërkurën e 15 dhjetorit.

Teksa thonë “Boll ma, durimit tonë i ka ardhur fundi”, kjo shoqatë konsideron se Qeveria e Kosovës po i mban të mbyllura klubet e natës dhe sallat e dasmës duke mos dhënë mbështetje.

“Të mërkurën më 15 dhjetor, në ora 13:00, të gjithë në sheshin ‘Skënderbeu’, para Qeverisë”.

“Qeveria e Kosovës po na kufizon e po na mban mbyllur, pa na dhënë asnjë ndihmë. Na kanë burgosur e as bukë s’po na japin. Po i thërrasim e s’po na përgjigjen. Po i kërkojmë pak mëshirë, e të burgosur po na vrasin përditë”, shkruhet në njoftimin e shoqatës.

Siç thonë ata, kafiterive e restoranteve “vetëm po ju keqësohen punët përditë me rritje enorme të çmimeve, me kujdes ndaj konsumit, dhe ulje të profitit”.

Protesta e gastronomëve

“Që tre muaj jemi të shëruar e të vaksinuar, e kjo Qeveri po na mbanë të izoluar. Po na shkatërrojnë ekonominë, e po na e rrisin varfërinë”.

Qeveria e Kosovës, më 30 nëntor, ka miratuar masat e reja anti-COVID.

Sipas masave të reja anti-COVID, shërbimet e gastronomisë lejohet të zhvillojnë aktivitetin e tyre nga ora 05:00 deri në orën 23:00, muzika lejohet vetëm deri në orën 21:30.

Në arsyetimin e Qeverisë thuhet se masat e reja janë ndërmarrë pas paraqitjes së variantit të ri Omicron.

Edhe me vendimin e masave të reja, maska mbetet obligative, me përjashtim të rasteve kur je duke drejtuar veturën i vetëm apo ke anëtarë të familjes në veturë, gjatë vrapimit e ushtrime fizike apo gjatë ngrënies apo pijes.

Që nga fillimi i pandemisë COVID-19, sektori i gastronomisë ka qenë sektori më i dëmtuar.

Ndryshe edhe më 23 tetor, Shoqata e Gastronomëve, i ka ftuar të gjithë gastronomët që të protestojnë para objektit të Qeverisë së Kosovës, për t’i kundërshtuar masat e reja anti-COVID-19, të ndërmarra nga Qeveria.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore