Lajme

Gabimi më i madh i Perëndimit është dërgimi i tankeve në Ukrainë, thotë Vuçiç


Aleksander Vucic dhe Vladimir Putin

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka vlerësuar të premten se gabimi më i madh politik i Perëndimit – shtetet e Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO) – ishte vendimi për dërgimin e tankeve në Ukrainë, veçanërisht ato të prodhuara në Gjermani.

“Gabimi më i madh i Perëndimit është se ata kanë njoftuar se do të furnizojnë ukrainasit me tanke, veçanërisht me tanke të frikshme të prodhimit gjerman”, tha Vuçiç, transmeton media shtetërore ruse Tass.

Gjermania njoftoi më 25 janar se do të dërgonte 14 tanke Leopard 2 në Ukrainë, pasuar nga premtimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës se do të dërgonte 31 tanke M1 Abrams. Ndër vendet e tjera perëndimore që pritet të dërgojnë gjithashtu tanke janë Mbretëria e Bashkuar, Franca, Sllovakia dhe Norvegjia.

Polonia, Republika Çeke dhe Bullgaria tashmë i kanë dërguar ato. Armët e prodhuara nga SHBA-të dhe Evropa, duke përfshirë tanke dhe sisteme të mbrojtjes ajrore, pritet të plotësojnë ose zëvendësojnë kryesisht teknologjinë sovjetike në përdorim nga forcat ukrainase.

Sipas presidentit serb, me ketë vendim Perëndimi vetëm sa e bashkoi popullin rus si askush dhe asgjë tjetër më parë me pozicionimin e tij ndaj luftës në Ukrainë, e cila filloi më 24 shkurt të vitit 2022, kur Rusia filloi pushtimin e territorit ukrainas në shkallë të gjerë.

“Ata e kanë bashkuar kombin rus. Është gabimi më i madh politik i Perëndimit, sepse ata kanë bashkuar rusët për një ditë”, tha Vuçiç gjatë seancës së posaçme për Kosovën në Kuvendin e Serbisë ku u miratua edhe raporti për negociatat me palën kosovare.

Një ditë më parë, ai tha se Serbia nuk ka dëshirë të anëtarësohet në NATO dhe do të vazhdojë të qëndrojë ushtarakisht neutrale, por shtoi se rruga aktuale drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian mbetet një “interes jetik”.

“Këtë mëngjes, dëgjova deklarata të pakuptimta nga patriotë të rremë, të cilët thoshin se ne po e çojmë Serbinë drejt integrimit në NATO. Por, ne do t’i përmbahemi neutralitetit ushtarak dhe, ndryshe nga ata që shkatërruan ushtrinë tonë, ne po ndërtojmë një ushtri tonën”.

Kush po dërgon çfarë në Ukrainë, një shpjegues mbi furnizimin me armë

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore