Bota

Frikë nga një sulm, FBI-ja kontroll të trupave të Gardës


Byroja Federale e Investigimit në Amerikë (FBI) do të kontrollojë 25 mijë trupat e Gardës Kombëtare që vijnë në Washington për shkak se zyrtarët e mbrojtjes amerikane janë shprehur se ndihen të shqetësuar për një sulm të brendshëm ose kërcënim  në inaugurimin e presidentit zgjedhur, Joe Biden.

Të dielën ushtria amerikane lëshoi një deklaratë ku u shpreh se po punon me Shërbimin Sekret për të përcaktuar  nëse ndonjë anëtar i shërbimit ka nevojë për “shqyrtim shtesë”.

Deklaratat e zyrtarëve

Sekretari i Ushtrisë, Ryan McCarthy, tha se zyrtarët janë të vetëdijshëm për kërcënimin e mundshëm dhe ai paralajmëroi komandantët që të jenë në vëzhgim të ndonjë problemi brenda radhëve të tyre ndërsa po afrohet inaugurimi.

Zyrtarë të shtetit janë shprehur se procesi kontrollit filloi kur trupat e para të Gardës filluan të vendosen në D.C më shumë se një javë më parë.

David Gomez, një ish-mbikëqyrës i sigurimit kombëtar të FBI në Seattle tha se “vettingu i FBI-së do të përfshijë listën e personave të mbikëqyrjes të mirëmbajtura nga byroja për të parë nëse ka diçka alarmante”.

Kërcënimet kundër inaugurimit të Biden janë nxitur nga mbështetësit të Presidentit Donald Trump, militantë të ekstremit të djathtë, supremacistë të bardhë dhe grupe të tjera radikale.

Shërbimi Sekret është përgjegjës për sigurinë e ngjarjeve, por ka një larmi të gjerë të personelit ushtarak dhe të zbatimit të ligjit, duke filluar nga Garda Kombëtare dhe FBI te Departamenti i Policisë Metropolitane të Washingtonit, Policia e Kapitolit të SHBA dhe Policia e Parkut të SHBA-së.

Ndërmarrja e masave

Trazirat në Capitol në fillim të këtij muaji nga të cilat mbetën pesë të vdekur dhe rezultuan me dhjetëra arrestime i shtyu zyrtarët në qytet të marrin masa drastike për të siguruar përurimin e Bidenit.

Kështu, zyrtarët rritën numrin e anëtarëve të Gardës Kombëtare të cilët do të vendosen në Washington gjatë përurimit presidencial nga 15,000 në 20,000 të mërkurën, më shumë se tre herë numri i trupave amerikane të dislokuara aktualisht në Irak dhe Afganistan së bashku.

Ushtria po kontrollon rregullisht anëtarët e shërbimit për lidhje ekstremiste./AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore