Shqipëria

Forcimi i bashkëpunimit ndërmjet strukturave hetimore të policisë shqiptare dhe çeke


Krerët e Policisë Kriminale shqiptare dhe çeke, kanë zhvilluar një takim të martën e 14 shtatorit duke falënderuar bashkëpunimin dhe marrëdhëniet në fushën e krimit mes dy vendeve.

Në takim mori pjesë dhe ambasadori çek në Shqipëri, Shkëlqesia e Tij Jaroslav Ludva. Drejtori i policisë Kriminale i Çekisë, Luděk Fiala u prit nga homologu i tij shqiptar Tonin Vocaj.

Më tej ata theksuan faktin se është në interes të dy policive që ky bashkëpunim të shtrihet në të gjitha fushat. Konkretisht sipas tyre në strukturat hetimore, si dhe në atë kërkimore për personat në kërkim konkretisht mes “FAST Albania” dhe “Fast Çekia”.

Vocaj gjtihashtu bëri një rezyme të rezultateve të arritura nga Policia e Shtetit shqiptar në luftën kundër krimit të organizuar. Theksin ai vendosi te bashkëpunimi me partnerët, si dhe mbi punën hetimore dhe kërkimore për gjetjen e tre studentëve çekë që kanë humbur para 20 vitesh në veri të vendit tonë.

Fiala u shpreh i befasuar nga rezultatet e arritura nga Policia e Shqipërisë vitet e fundit.

Ndërkohë Ambasadori Ludva falënderoi Policinë e Shtetit, për ndihmën e dhënë për Policinë çeke dhe bashkëpunimin mjaft të mirë që ekziston mes dy institucioneve.

“Ambasada dhe Policia çeke do vijojnë të mbështesin me bazë logjistike Policinë e Shtetit shqiptar”, e përmbylli ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore