Lajme

Flota mbretërore britanike mund të hyjë në Detin e Zi


Britania është në diskutime me aleatët për dërgimin e anijeve luftarake në Detin e Zi.

Kjo, për të mbrojtur mallrat që transportonin grurë ukrainas.

Lajmi u bë i ditur nga prestigjozja britanike “The Times”.

Ky koalicion do synonte “thyerjen” e bllokadës ruse brenda disa javësh duke ofruar një “korridor mbrojtës” nga Odesa përmes Bosforit.

Mendohet se Egjipti, i cili është goditur rëndë nga mungesa e grurit, mund të jetë i gatshëm të marrë pjesë.

Operacioni do të kërkonte pastrimin e minave nga porti dhe sigurimin e Ukrainës me armë me rreze më të gjatë.

Danimarka do t’i dërgojë Ukrainës një lëshues fuzhnjësh dhe raketa për të mbrojtur bregdetin e saj, si pjesë e një pakete sigurie të rënë dakord nga 20 vende.

Raketat kundër anijeve do t’i mundësonin Ukrainës të synonte anijet ruse që bllokojnë portet e saj dhe pjesën veriperëndimore të Detit të Zi.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky deklaroi se ishte në bisedime me aleatët, përfshirë SHBA-të, BE-në dhe Britaninë.

“Ne duhet të biem dakord për një korridor të sigurt. Rusia nuk do të jetë në gjendje të qëndrojë kundër vendeve kryesore të botës. Ne po flasim me vendet baltike për përdorimin e porteve të tyre detare”, shtoi ai.

Megjithatë, një zyrtar perëndimor u shpreh se Rusia do të duhej të pajtohej me një operacion të tillë.

“Përpjekja për ta bërë këtë pa pëlqimin e Rusisë do të rriste rrezikun që mund të kishte një incident”, theksoi zyrtari.

Moska zyrtare ka përjashtuar deri më tani kërkesën për të lejuar anijet që të largohen nga Odessa.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore