Shqipëria

Flet Kasa për protestat e bizneseve: Janë në të drejtën e tyre


“Protesta është gjëja më normale që mund të bëjë një biznes pasi ato janë në të drejtën e tyre”, thotë Rrahman Kasa, kryetari i Unionit Turistik Shqiptar, i kontaktuar nga Albanian Post (AP).

Më tej, ai bën me dije se është në të njëjtën linjë mendimi me bizneset. Për AP-në ka sqaruar se “Qeveria nuk e ka marrë parasysh letrën tonë”.

Nga ana tjetër, protestat kundër ndalimit të muzikës në qytetet e Vlorës dhe Lezhës sollën edhe reagimin e kreut të Qeverisë shqiptare, Edi Rama.

“Lungomare s’ka muzikë, po ndotje akustike të tmerrshme ku përzihen dhjetëra linja burime menjëherë”, shkruante kryeministri në Twitter.

Më tej, ai theksonte se qëndron në fuqi vendimi, sipas të cilit lejohet muzika në çdo zonë turistike deri në orën 23:00.

Ai u bënte thirrje se të gjithë ata që duan të kërcejnë e të këndojnë, të organizohen në natyrë. “Në pika ku nuk shqetësohet njeri – si tërë bota e civilizuar”, tha kryeministri.

Duke qenë se situata mbetet e njëjtë, pronarët e bizneseve në Vlorë kanë theksuar se bizneset e tyre do të qëndrojnë të mbyllura edhe të martën e 20 korrikut.

Më herët, përfaqësues së Unionit Turistik Shqiptar kanë kërkuar ndryshime të masave kufizuese,  të cilat janë aktualisht në zbatim, përkatësisht heqjen e orës policore dhe lejimin e muzikës përtej kufizimeve aktuale.

Nga ana tjetër, protestuesit në Lezhë e kanë cilësuar korrikun dhe gushtin si “muajin e punës”, prandaj lehtësimi i masave është një kusht i domosdoshëm.

Turizmi shqiptar, rënie përgjatë 2020-s

Përgjatë vitit 2020, turizmi shqiptar pësoi rënie. Kjo, si pasojë e masave të marra për të parandaluar përhapjen e pandemisë COVID-19.

Gjatë kësaj periudhe u ndaluan fluturimet, u mbyllën disa rrugë tokësore, duke qenë se frika ndaj infektimit me coronavirus ishte prezente.

Masat e reja lehtësuese

Sipas Qeverisë shqiptare, sezoni veror 2021 parashikohet me masa të lehtësuara. Diçka e tillë do të arrihet me heqjen graduale të masave dhe vaksinimin masiv të të gjithë popullsisë.

Lajmin për herë të parë e bëri të ditur Rama, i cili tha se “në verë do t’i rikthehemi përsëri jetës tonë të dëshiruar”.

Gjithashtu, edhe ministrja e Shëndetësisë, Manastirliu, së bashku me Klosin, gjatë një takimi me Task-Forcën dhe operatorët turistikë në Golem shprehën njëzëri se sezoni i vitit 2021 do të jetë “Covid-Free”.

Nga 1 qershori kanë hyrë në fuqi masat e reja kundër COVID-19, me një lehtësim të dukshëm pas rasteve të vazhdueshme në ulje dhe një fushatë vaksinimi ndër më të suksesshmet në Evropë.

Aspekti më kryesor është ai i heqjes së mbajtjes së detyrueshme të maskave në ambientet e hapura publike. Pavarësisht kësaj, barriera mbrojtëse do të jetë e detyruar të mbahet në ambientet e mbyllura. Po ashtu, edhe në ambiente të jashtme, ku është e pamundur të ruhet distancimi social.

Ora policore do të pësojë gjithashtu ndryshim, duke lejuar lëvizjen për një orë më shumë. Nga një orë policore prej 22:00-06:00, ajo do të shtyhet në 23:00 dhe do të përfundojë në 06:00.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore