Lajme

Fillon punimet samiti i OSBE-së në Shkup


Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken, dhe anëtarë të tjerë të OSBE-së.

Në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut, në Shkup, këtë të enjte (30 nëntor), ka nisur punimet Samitit i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE).

Në këtë Samit do të marrin pjesë 57 diplomatë të vendeve anëtare të organizatës.

Pjesëmarrës do të jetë edhe Ministri i Punëve të Jashtme të Federatës Ruse, Sergey Lavrov, i cili mbërriti në Shkup në orët e para të mëngjesit të 30 nëntorit.

Kryediplomati i Federatës Ruse, Sergey Lavrov, pas arritjes në Maqedoni të Veriut.

Pjesëmarrja e Lavrov-it në këtë Samit u mundësua nga Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria, të cilët pezulluan përkohësisht sanksionet e vendosura nga Bashkimi Evropian për fluturimin e avionëve rusë për shkak të agresionit të Rusisë në Ukrainë.

Pjesëmarrja e kryediplomatit rus në samit, ka bërë që Ukraina dhe disa shtete baltike, në shenjë pakënaqësie nuk kanë dërguar Ministrat e Punëve të Jashtme të tyre.

Në prag të fillimit të samitit, të mërkurën ka qëndruar në Maqedoni të Veriut, edhe Sekretari Amerikan i Shtetit, ku ka marrë pjesë me një darkë joformale dhe fotografi familjare

Po ashtu, ai është takuar me Ministrin e Punëve të Jashtme të Maqedonisë, njëherit kryesues i OSBE-së, Bujar Osmani, si dhe me kryeministrin maqedonas, Dimitar Kovaçevski.

Ndonëse samiti zyrtarisht filloi punimet të enjten, Blinken është larguar nga Shkupi të mërkurën, duke shmangur kështu praninë e tij në një sallë me kryediplomatin rus, Lavrorv.

Ndërsa, pas takimit me Osmanin, kryediplomati amerikan ka përgëzuar Maqedoninë e Veriut për kryesimin me sukses të OSBE-së, derisa ka mirëpritur përzgjedhjen Maltës si kryesuesen e radhës me këtë organizatës gjatë vitit 2024.

“Ju keni bërë një punë jashtëzakonisht të mirë, keni arritur të zgjeroni misionin e OSBE-së, pavarësisht pengesave të mëdha. Më vjen mirë që Malta do të marrë stafetën. Ne kemi një partneritet strategjik që është vërtet i fokusuar në punën që bëjmë së bashku si aleatë dhe partnerë, por edhe në punën që bëjmë bashkërisht në nivel dypalësh”, tha Blinken, transmeton “Radio Evropa e Lirë”.

Në samitin e kësaj organizate, do të merret vendimi për caktimin e kryesuesit të radhës të OSBE-së, por edhe duhet të marrin vendim për buxhetin, si dhe të caktojnë drejtuesit në pozitat kyçe të organizatës.

Takimi dy ditor i Këshillit Ministror të OSBE-së (30 nëntor dhe 1 dhjetor), është ngjarja më e madhe diplomatike që është zhvilluar ndonjëherë në Maqedoninë e Veriut.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore