Shëndet

Fifi thotë të ketë pasur “probleme mendore” pas shtatëzënisë, por si është gjendja e saj tani?


Këngëtarja, Fifi në këtë sezon veror, po tregohet të jetë më aktive se kurrë në mediat sociale, duke ndarë kështu, detaje të ndryshme nga jeta private e profesionale.

Kësisoj, pasi që javën që lamë pas, ajo bëri bujë me disa deklarata revoltuese karshi mungesës së ftesave për të performuar në klube të natës, ylli i hitit “Diell” së fundmi ka zbuluar të ketë pasur një periudhë jo fortë të lehtë shëndetësore pasi fitoi epitetin e të qenit nënë.

Ardhja në jetë e vogëlushit, që ajo bashkë me partnerin, Adis Patushi e pagëzuan me emrin Theo Mal e gëzoi dyshen pafund, por për Fifin, problemet me disponimin dhe shëndetin mendor, sipas saj, ishin të theksuara.

“Gjatë periudhës së shtatzënisë dhe pas lindjes, kam pasur një periudhë goxha intensive dhe mendja ime pati nisur të shfrenohej, dhe kam filluar ta krahasoj veten me njerëz, thosha ‘po unë s’jam kjo, pse duhet të bëj kështu?’”, ka thënë Fifi në një video të ndarë me afro 700 e 50 mijë ndjekësit e saj në Instagram.

“Kur shkoja në studio, i thosha producentëve ‘pse t’i s’po merresh me mua? Je bo ‘VIP’ ti’. Probleme mendore, kam pasur shumë probleme mendore”, ka shtuar ajo.

Por, artistja nga Kosova, tanimë duket t’i ketë tejkaluar sfidat në fjalë, e për këtë, sipas saj, në ndihmë i erdhën librat që thotë “t’i ketë lexuar”.

“Por, tash prej që jam qetësuar dhe jam me një pozicion tjetër, jam marrë me veten shumë emocionalisht dhe psiqikisht, kam lexuar shumë libra psikologjikë dhe kam dëgjuar shumë video për energji pozitive dhe s’i me ngreh energji pozitive”, ka rrëfyer Fifi.

Ajo po ashtu ka paralajmëruar projekte të reja, derisa në videon e publikuar dëgjohet të thotë – “po bëj këngë të bukura, se keni idenë se çfarë këngësh kam në telefon”.

Përndryshe, pak ditë më parë, Fifi u bëri “diss” artistëve internacionalë përfshirë, Raf Camorën e Lucianon, teksa ka shprehur pakënaqësinë për mungesën e prenotimeve nga klubet e natës.

“I falënderoj dhe i përshëndes të gjithë klubet në Kosovë e Shqipëri për këtë behar. Isha përgatitur që këtë verë të kem më shumë punë, por mesa duket s’jam aq ‘in’ në treg dhe absolutisht Raf Camora, e Luciano e këta të huajt janë më të mirë për tregun tonë”, kishte thënë ajo.

“Por, s’ka problem. Fifi ju do shumë prap dhe ju vijë siç ka ardhur përherë. Më keni bërë nderë, se jam duke e shijuar rritjen e djalit, mbase do të kisha lekë pak më shumë, por edhe pa këto mirë jam”, pati shtuar ajo, pos tjerash.

Kënga e fundit e publikuar nga artistja Fifi, emri i vërtetë i të cilës është FIlloreta Raçi, është bashkëpunimi i saj me Ronela Hajatin.

Fifi ishte mysafire në projektin “Hajde shpirti” të Ronelës, derisa dyshja bashkë deri më tani kanë arritur të grumbullojnë plot 2 milionë klikime në YouTube.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore