Shqipëria

Festa “zëvendëson” dhunën para finales së Tiranës


Pamjet e dhunës mes huliganëve dhe ultras-ve – holandezë e italianë – që u dëshmuan gjatë mbrëmjes së 24 majit janë zëvendësuar nga festa e tifozëve në të dyja kampet.

Disa orë para fillimit të ndeshjes, kanë marrë shkas festimet e vërteta të përgatitjeve për finalen e Ligës së Konferencës në Arenën Kombëtare.

Tifozët e Roma-s dhe e gjithë baza e fansave verdhë e kuq janë zhvendosur në zonën e tyre, në jug të stadiumit.

I gjithë Liqeni i Tiranës, dhe zonat rreth e qark saj, janë populluar nga tifozë të shumtë roman.

Shumica prej tyre kanë një biletë, ndërsa një pjesë e mirë do mund ta shohin në ambientet e përshtatura si mini-stadiume ose në Amfiteatrin e Liqenit.

Gjatë komunikimeve me Albanian Post, ata kanë bërë disa herë të ditur se ndihen “si në shtëpinë e tyre”.

Kjo, pasi Tirana është kthyer në një “Romë të vogël”.

Jo më pak se ta po festojnë edhe holandezët nga Roterdami me fanellat gjysmë bardhë e gjysmë kuq.

Ata gjenden në zonën e Pedonales së Tiranës ku edhe është përshtatur skena e cila do të transmetojë finalen e dytë evropiane në radhë – e treta për nga rëndësia.

Tifozët e Feyenoord-it kanë festuar për disa orë nën muzikën Hardstyle, karakteristike për vendin e tyre.

Para fillimit të ndeshjes që do të ndiqet nga 155 vende të botës, festa ka zënë vend dhe pamjet e dhunës janë një kujtim i së kaluarës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore