Lajme

Faton Peci si Fatmir Sejdiu dikur: Jemi komod, jemi okej


Foto nga Albanian Post: Faton Peci ne Kuvendin Zgjedhor te Listes Guxo

“Komod” është disponimi i Listës Guxo edhe pas lajmit se deputetja e tyre Doarsa Kica-Xhelili, do të largohet nga partia dhe grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje, në drejtim të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Faton Peci nga kjo Listë ka komentuar për Albanian Post, në kohën kur po mbahet Kuvendi Zgjedhor i parë i Listës Guxo, veprimin e përfolur në media, por ende të pazyrtarizuar të deputetes Kica-Xhelili.

“Mundet me pas pakënaqësi apo mendime të ndryshme”, tha Peci, “por ajo që ne jemi kuriozë ta kuptojmë është të dimë cilin nga premtimet e dhëna publikisht nuk jemi duke e mbajtur”.

Në stilin e dikurshëm të mentorit të Vjosa Osmanit, ish-kryetarit të LDK-së dhe ish-presidentit të Kosovës, Fatmir Sejdiu, Peci tha se brenda Guxo janë “komod”.

“Kjo është pjesa e preokupimit tonë që do na bënte të ndjeheshim keq, prandaj ne jemi shumë komod”.

Sa për vetë deputeten refuzoi të jap një koment të plotë, meqë, siç tha, “ne ende nuk kemi ndonjë konfirmim të saktë, ka përfolje në nivel të mediave”.

“Ne do të kemi reagimin tonë në momentin kur deputetja në fjalë e bën të qartë pozicionin e saj”.

Foto nga Albanian Post

I pyetur për statusin sugjestiv të tij, ku shkroi në Facebook se “kush synon tjetërsimin apo kontrabandimin e vullnetit të qytetarëve, i bashkohet atyre që janë pjesë e erës së përfunduar në politikë”, Peci pohoi se “statuset i kam të herëpashershme” dhe se “me presidenten prijmë kafe edhe diskutojmë procese të ndryshme politike”.

Ai s’la pa përmendur se shumë persona që u bënë deputetë nga Lista Guxo, u bënë në shpatullat e Osmanit, meqë për publikun ishin të panjohur.

“Një numër i madh që sot kanë funksione publike, bile ka prej atyre që s’kanë pasur as prapavijë ose kapital politik, por falë Vjosa Osmanit sot janë në ulëset e Kuvendit dhe Qeverisë”.

Lista Guxo, parti politike e formuar nga Vjosa Osmani, pak para zgjedhjeve të fundit, pas shkëputjes nga LDK, po mban Kuvendin e Parë Zgjedhor, por pa vetë Osmanin, e cila si presidente s’ka të drejtë të udhëheqë edhe parti politike.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore