Aplikacione

Facebook-u lancon formatin Reels në mbi 150 vende


Facebook-u po lancon funksionin e tij të videove të shkurtra, Reels, në më shumë se 150 vende.

Pasi ka humbur një të tretën e vlerës së tij të tregut pas një raporti të zymtë të fitimeve, Facebook-u ka theksuar se Reels-i është prioritet kyç, tregon agjencia e lajmeve “Reuters”.

Fillimisht, Reels-i është lancuar nga kompania mëmë Meta në Instagram në vitin 2020.

Kjo erdhi si përgjigje ndaj aplikacionit popullor të videove të shkurtra TikTok, i cili është në pronësi të gjigantit kinez të teknologjisë ByteDance.

“Tanimë, Reels-i është formati ynë i përmbajtjes me rritjen më të shpejtë dhe sot po e bëjmë atë të disponueshëm për të gjithë në Facebook në mbarë botën”, ka thënë shefi i Meta-s, Mark Zuckerberg.

Duke ravijëzuar se formati video përbën gjysmën e kohës që njerëzit shpenzojnë në Facebook, kompania ka zbuluar gjithashtu mënyra të reja për krijuesit për të fituar para përmes funksionit Reels.

Kompania ka treguar se po zgjeron programin e vet për të paguar shpërblime për krijuesit në më shumë vende dhe se po teston reklamat e mbivendosura, duke përdorur etiketa që krijuesit të fitojnë të ardhura nga reklamat.

Gjithashtu ka bërë me dije se do të nxjerrë përditësime për përdoruesit për të krijuar dhe parë Facebook Reels në vende të reja.

Përpos këtyre, Meta ka dalluar se është përballur me goditje nga ndryshimet e privatësisë së Apple-it në sistemin e vet operativ, të cilat e kanë bërë më të vështirë për markat që të synojnë reklamat e tyre në Facebook dhe Instagram.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore