Lajme

Facebook përgatitet për vendimin e Chauvin/ Kufizon postimet që mund të nxisin dhunë


Facebook ka deklaruar të hënën e 19 prillit, se kishte në plan të kufizonte postimet që përmbajnë dezinformime dhe gjuhë urrejtjeje në lidhje me gjyqin e Derek Chauvin, ish oficeri i policisë në Minneapolis i akuzuar për vrasjen e George Floyd.

Ndërsa argumentet përmbyllëse filluan në gjyq dhe Minneapolis po përgatit një vendim, Facebook tha se do të identifikonte dhe hiqte postimet në rrjetin social që nxitnin njerëzit të sillnin armë në qytet.

Po ashtu tha se do të mbronte anëtarët e familjes së Floyd nga ngacmimet e mundshme. Si dhe do të hiqte përmbajtjet që i vlerësonte si festime ose tallje për vdekjen e tij.

“Ne e dimë që ky gjyq ka qenë i dhimbshëm për shumë njerëz”, shkroi Monika Bickert, nënkryetarja e Facebook për politikat e përmbajtjes së postimeve.

Facebook tha të hënën se kishte vendosur që Minneapolis ishte, të paktën përkohësisht “një vend me rrezik të lartë”.

Duke shtuar se do të hiqte faqet, grupet, ngjarjet dhe llogaritë në Instagram që shkelnin politikën e saj të dhunës dhe nxitjes së dhunës.

Kompania nuk kishte ndonjë koment të mëtejshëm.

Facebook, i cili ka kohë që është pozicionuar si një faqe për fjalën e lirë, është bërë gjithnjë e më aktive te thirrjet e njerëzve nëpërmjet postimeve, që mund të çojnë deri në dhunë në botën reale.

Kompania Silicon Valley ka qenë nën kritika për vite me radhë për mënyrën se si ka trajtuar ngjarjet e ndjeshme të lajmeve.

Kjo përfshin zgjedhjet presidenciale të vitit të kaluar, kur dezinformimi online në lidhje me mashtrimin e votuesve nxiti mbështetësit e ish-presidentit Donald Trump.

Duke besuar se zgjedhjet ishin vjedhur, disa mbështetës të Trump-it sulmuan ndërtesën e Capitol-it më 6 janar.

Duke çuar përpara zgjedhjeve, Facebook ndërmori hapa për të luftuar dezinformimin, ndërhyrjet e huaja dhe shtypjen e votuesve.

Kompania shfaqi paralajmërime në më shumë se 150 milionë postime me dezinformata zgjedhore.

Hoqi më shumë se 120 mijë postime për shkelje të politikave të ndërhyrjes së saj te votuesit.

Gjithashtu rrëzoi 30 rrjete që postonin mesazhe të rreme në lidhje me zgjedhjet.

Por kritikët thanë se Facebook dhe platformat e tjera të mediave sociale nuk bënë aq sa duhet.

Pas sulmeve në Capitol, rrjeti social ndaloi Trump të postonte.

Bordi i pavarur i mbikëqyrjes së kompanisë tani po debaton nëse ish-presidenti do të lejohet të kthehet në Facebook.

Pritet një vendim “në javët e ardhshme” nëse do i rikthehet apo jo llogaria Trump-it.

Vdekja e Floyd, i cili ishte afro-amerikan, çoi në një valë protestash për racizmin në të gjithë kombin vitin e kaluar.

Derek Chauvin, një ish-oficer i policisë në Minneapolis i cili është nje njeri i bardhë, përballet me akuza për vrasje pa dashje, vrasje të shkallës së dytë dhe vrasje të shkallës së tretë për vdekjen e Floyd.

Gjyqi filloi në fund të marsit dhe kjo javë shënon vendimin për ish-oficerin.

Chauvin nuk ka pranuar të dëshmojë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore