Lajme

Escobar: Dodik është kërcënimi kryesor për paqen në Ballkan – Do ta mbajmë përgjegjës


Gabriel Escobar

Emisari Special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, gjatë raportimit të tij para Kongresit Amerikan, ka thënë se presidenti ultra-nacionalist i Republikës Srpska – entiteti serb në Bosnje e Hercegovinë – Millorad Dodik, është kërcënimi kryesor për paqen në Ballkanin Perëndimor.

Escobar potencoi se Dodik, “është ende i fokusuar në minimin e Kushtetutës së Bosnje dhe Hercegovinës dhe Marrëveshjes së Dejtonit (marrëveshja që i dha fund luftës në BeH, më 1995)”.

“Përsëritja e tij e aktiviteteve antidemokratike kërcënon prosperitetin e Bosnjë-Hercegovinës dhe rajonit më të gjerë. Ne do të vazhdojmë të thërrasim ata që janë përgjegjës për minimin e Marrëveshjes së Dejtonit dhe kërcënimin e integritetit territorial, sovranitetit dhe karakterit shumëkombësh të vendit. Ne mbështesim misionin ALTHEA dhe përdorimin e mandatit të Përfaqësuesit të Lartë në Bon për të kundërshtuar këto përpjekje”, pohoi Escobar.

Ndërkaq, një përfaqësuese e Kongresit amerikan, Ann Wagner, ishte i ashpër ndaj presidentit autoritar të RS-së, madje theksoi se “SHBA duhet ta bëjë prioritet luftën kundër aktorëve antidemokratikë si Dodik”.

“Një mesazh i pagabueshëm duhet dërguar për të gjithë ata që kërcënojnë integritetin territorial dhe sovranitetin e Bosnjë-Hercegovinës. Të gjithë duhet të sanksionohen. Sjellja e njëanshme e Dodik dhe tërheqja e RS nga Gjykata Kushtetuese e Bosnjë e Hercegovinës është një shenjë vërtet serioze e përshkallëzimit në fushatën e tij për të luftuar kundër sovranitetit të Bosnje-Hercegovinës”.

“Ai kërcënon të mbajë një referendum për pavarësinë deri në fund të vitit. Kjo do të shkatërrojë themelet e paqes në Ballkanin Perëndimor. Si do ta parandalojë këtë Ministria e Jashtme dhe do ta ndalë Dodikun?”, pyeti ajo.

Ndërsa, Escobar u përgjigj se po e parandalojmë këtë duke forcuar misionin ALTHEA, duke mbështetur plotësisht përfaqësuesin e lartë dhe duke punuar së bashku me BERZH, FMN dhe BE për të mos u dhënë para “atyre që dëmtojnë shtetin”.

“Sanksionet funksionojnë, janë efektive. Por ne kemi dy matrica. Në biseda private, ajo që na kërkojnë zyrtarët e RS – jo më sanksione, ju lutem”, potencoi ai.

I pyetur se pse BE-ja nuk vendos sanksione ndaj Dodikut, ai tha se i është thënë se janë 27 anëtarë të BE-së, përfshirë Hungarinë, të cilët duhet të pajtohen. Mirëpo, Wagner theksoi se duhet të bëhet presion mbi Hungarinë.

Escobar: Zhvillimi i Malit të Zi është i rëndësishëm për zhvillimin e të gjithë rajonit

Emisari Special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, gjatë raportimit të tij para Kongresit Amerikan, ka thënë se në Mal të ka një vrull të përtërirë drejt realizimit të së ardhmes evropiane.

“Në Malin e Zi, ne shohim një vrull të përtërirë drejt realizimit të së ardhmes së tij evropiane. Zgjedhjet e fundit presidenciale dhe parlamentare ishin të lira, paqësore dhe u ofruan votuesve një zgjedhje të gjerë. Rezultati forcoi dëshirën e qytetarëve të Malit të Zi për të arritur integrimin evropian dhe reformat që do t’i përmirësojnë ata”, tha ai.

I pyetur për Malin e Zi, duke përmendur korrupsionin dhe korrupsionin ekstrem, Escobar deklaroi se qeveria e re është kundër korrupsionit dhe për sundimin e ligjit.

“Mali i Zi është ende një anëtar i pambrojtur i NATO-s, por është një mbështetës i madh i luftës kundër korrupsionit”, theksoi Escobar.

“Ne vazhdojmë të financojmë disa reforma, ne i përdorim paratë tona për të forcuar kapacitetet e policisë. Ne besojmë se zhvillimi i Malit të Zi është i rëndësishëm për zhvillimin e të gjithë rajonit”, potencoi Escobar.

Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut

Emisari Special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, gjatë raportimit të tij para Kongresit Amerikan, duke folur për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, ka thënë se të dyja këto i kanë hapur negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, dhe se të dyja janë partnere solide në inkurajimin e normalizimit të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë.

“Për t’i çuar përpara aspiratat për anëtarësim në BE, Qeveria e Maqedonisë së Veriut është e përkushtuar për ndryshimet kushtetuese për ta njohur pakicën bullgare. Ne e mbështesim fuqishëm këtë hap të vështirë, por të nevojshëm, dhe jemi të angazhuar me Qeverinë e re të Bullgarisë, për t’u siguruar se ajo nuk do të ketë kërkesa të reja, sapo Maqedonia e Veriut t’i përmbushë kërkesat e marrëveshjes ekzistuese”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore