Lajme

Ekspertët e OKB-së denoncojnë ekzekutimet e kundërshtarëve saudit të megaqyteteve


Ekspertët e të drejtave të OKB-së kanë denoncuar ekzekutimin në pritje të tre anëtarëve të një fisi saudit, në lidhje me kundërshtimin e tyre ndaj një megaqyteti të planifikuar në Detin e Kuq.

Tre anëtarë të fisit Huwaitat, në zonën e shkretëtirës në veri-perëndim të Arabisë Saudite, ku megaqyteti futuristik i princit të kurorës Mohammed bin Salman është në ndërtim e sipër, përballen me “rrezikun e menjëhershëm të ekzekutimit”.

Të paktën kështu kanë paralajmëruar ekspertë të pavarur.

“Pavarësisht se u akuzuan për terrorizëm, ata raportohet se u arrestuan për rezistencë ndaj dëbimeve me forcë në emër të projektit Neom dhe ndërtimit të një qyteti linear 170 kilometra të quajtur Linja”, sipas tyre.

Tre burrat – Shadly Ahmad Mahmoud Abou Taqiqa al-Huwaiti, Ibrahim Salih Ahmad Abou Khalil al-Huwaiti dhe Atallah Moussa Mohammed al-Huwaiti – thuhet se u dënuan me vdekje më 5 gusht të vitit të kaluar dhe dënimet e tyre u lanë në fuqi në apel më 23 janar.

“Sipas ligjit ndërkombëtar, shtetet që nuk e kanë hequr ende dënimin me vdekje mund ta vendosin atë vetëm për krimet më të rënda, që përfshijnë vrasje të qëllimshme”, kanë thënë ekspertët.

Sipas deklaratës së tyre, tre anëtarë të fisit Huwaitat u dënuan gjithashtu me nga 27 deri në 50 vjet burg.

Ekspertët, të cilët janë emëruar nga Këshilli i OKB-së për të Drejtat e Njeriut, por nuk flasin në emër të OKB-së, u ankuan se të gjashtë ishin akuzuar sipas një ligji ‘tepër të paqartë’ të vitit 2017 kundër terrorizmit.

Gjithashtu kërkuan që autoritetet saudite të hetojnë pretendimet se disa nga të arrestuarit ishin torturuar për të nxjerrë rrëfimet dhe të rishikonin dënimet e tyre.

“Çdo deklaratë që provohet se është bërë si rezultat i torturës është e papranueshme në asnjë procedurë”, kanë thënë ata.

Ekspertët ngritën shqetësime për projektin Neom në tërësi, mes akuzave nga grupet e të drejtave për abuzime të rënda që po kryheshin.

Autoritetet saudite dyshohet se po zhvendosin në mënyrë të paligjshme anëtarët e fisit Huwaitat nga shtëpitë e tyre në tre fshatra, shpesh pa kompensim adekuat dhe duke goditur me dhunë ata që kundërshtojnë ose i rezistojnë dëbimit në mënyrë paqësore.

Në vitin 2020, një anëtar i fisit Huwaitat u qëllua për vdekje pasi ai refuzoi të jepte tokën e tij për projektin.

“Këto veprime sigurisht që do të përbënin dëbime të detyruara, të cilat janë të ndaluara sipas ligjit ndërkombëtar si shkelje e së drejtës për strehim të përshtatshëm”, kanë thënë ekspertët.

“Veprimet përbëjnë gjithashtu shkelje flagrante të të drejtave për lirinë e shprehjes dhe aksesin në informacion”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore