Lajme

Ekskluzive: Si i mbajti fshehtë prokuroria speciale dokumentet e CIA-s dhe DASH-it, që ishin prova shfajësuese


Dokumentet

Avokati amerikan Gregory Kehoe, i cili mbron ish Presidentin Hashim Thaçi, në një seancë gjatë shkurtit të këtij viti, u pa në kulmin e frustrimit, pasi kishte zbuluar se Prokuroria Speciale kishte mbajtur të fshehta disa prova shfajësuese për të akuzuarit – mes të cilave edhe ajo e dhënë nga ish diplomatit i lartë i OSBE-së, Dan Everts.

Everts, që ka shërbyer në Kosovë menjëherë pas luftës, mes tjerash, i kishte thënë Prokurorisë se veprimtaritë kriminale, pas qershorit të vitit 1999, janë kryer nga individë që kërkonin një rast për përfitime personale, e nuk ishin pjesë e një fushate të organizuar nga udhëheqja shqiptare.

“Asgjë nga kjo nuk na u dorëzua teksa po i shtjellonim dhe diskutonim provat. Asgjë nga kjo nuk i është dhënë shkëlqesisë suaj. Asgjë. Dhe ata e kishin këtë informacion për katër vjet. Dhe Prokurori Special supozohet se e kërkon të vërtetën. E megjithatë, shkëlqesia juaj kurrë nuk e kishit këtë dokument. Ai, madje, nuk ju tha as juve se provat që kishin në posedim – dëshmojnë se ata nuk janë fajtorë, se ka një dyshim të arsyeshëm për të gjitha këto. Por, po i mbajnë në burg pafundësisht”, ka deklaruar Avokati i Thaçit, Gregory Kehoe.

“Pjesa tjetër e dëshmitarëve të OSBE-së, që ata mendojnë se përbëjnë prova fajësuese, u dorëzuan. U dorëzuan në gusht 2021. Të vetmin që lanë jashtë ishte ai. Pse? Pse e lanë jashtë?”, është shprehur Kehoe.

Prokuroria është akuzuar se ka mbajtur të fshehtë një letër të Departamentit Amerikan të Shtetit, e datës 4 maj 1999, në të cilën thuhet se nuk kishte strukturë politike ose komandë dhe kontroll efikas të UÇK-së.

I fshehur ishte mbajtur edhe një raport i CIA-s, i janarit të vitit 2000, në të cilin thuhej se UÇK-ja nuk kishte kryer akte terroriste kundër caqeve civile.

Në dokumentarin e punuar nga Albanian Post dhe Opinion, i titulluar “Devijimi Special” është zbuluar saktë se çfarë shkruhej në këto letra.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore