Shqipëria

E rëndë: Aksidentohen për vdekje dy të rinj, ndërron jetë një minorene


Policia e Shkodrës ka njoftuar së në orët e para të mesnatës së 31 korrikut, dy të rinj kanë humbur jetën si pasojë e një aksidenti. A.P. 23 vjeç banues në fshatin Mali Jushit, Shkodër dhe pasagjerja shtetasja D.T. 16 vjeçe banuese në lagjen Perash, Shkodër ishin viktimat e aksidentit tragjik.

Në vendin e quajtur “Mbi sukë”, në aksin Shkodër-Velipojë, makina e cila drejtohej nga 23-vjeçari për shkak të shpejtësisë së lartë në kthesë, doli nga rruga.

Mjeti, tip BMW, u përplas me një mur, dhe si rrjedhojë humbën jetën dy të rinjtë.

Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë po vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave të aksidentit.

Aksidentet në rritje

Një rritje me 32.9% është shënuar gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2021, për sa u përket aksidenteve rrugore në Shqipëri, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2020.

Mirëpo, duhet theksuar se gjatë 2020-ës, tre muaj nga gjashtë, kanë qenë nën efektin e karantinës për shkak të COVID-19. Ndaj, rritja ishte e mirëqenë.

Këto janë përfundimet që nxjerr raporti i Institutit të Statistikave në Shqipëri (INSTAT), mbi aksidentet rrugore.

Vetëm në qershor 2021, janë numëruar 124 aksidente rrugore, në krahasim me 115 gjatë qershorit 2020.

Mbi totalin, janë numëruar 671 aksidente rrugore në gjashtëmujorin e parë 2021. Gjatë 2020-s, qenë regjistruar 505 aksidente.

Numri i vdekjeve dhe plagosjeve nga aksidentet u rrit po ashtu në gjashtë muajt e parë të 2021-shit, krahasuar me 2020-ën. Janë 161 persona këtë vit, në krahasim me 143 nga viti i shkuar. Numri i të aksidentuarve ka shkuar në 875 nga 656 që ka qenë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore