Kosova

E djathta radikale në BE kërcënon “ëndrrën evropiane” të Kosovës


Ilustrim

Në dritën e zgjedhjeve për Parlamentit Evropian (PE) në fundjavë, ku fokusi pritet të orientohet nga e djathta ekstreme, një ndjenjë përforcuese pasigurie vërehet edhe në Kosovë, kryesisht për shkak se eurodeputetët e ardhshëm në organin legjislativ të Bashkimit Evropian (BE) mund të jenë armiqësorë ndaj perspektivës evropiane të rajonit, posaçërisht ndaj shtetit të Kosovës.

“Kosova ka shumë gjasa të ketë më pak miq në PE për shkak se votuesit pritet të zgjedhin një numër rekord të deputetëve të ekstremit të djathtë fundjavën e ardhshme”, shpreh drojën Toby Vogel, ekspert i politikës së jashtme të BE-së nga Këshilli i Politikave të Demokratizimit (DPC), por shton se efekti i eurodeputetëve në politikën e jashtme të BE-së do të jetë i papërfillshëm.

Në sytë e ekspertit të demokracisë dhe politikës së jashtme, ndikimi i PE-së në politikën jashtme të BE-së do të vazhdojë të jetë periferik, posaçërisht sa i përket dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, por kujton se ai nuk mund të anashkalohet për disa çështje të rëndësishme: Komisioni Evropian (KE) nuk mund ta marrë detyrën pa u konfirmuar në PE-ja.

“Roli i PE-së në politikën e jashtme dhe në procesin e zgjerimit nuk është shumë i spikatur, por ai ka një rol për të luajtur në sigurimin e mbikëqyrjes dhe llogaridhënies. Megjithatë, ashtu sikurse e pamë në dialog, ai rol është ende i dobët dhe i pazhvilluar. Pra, në praktikë, efektet në politikën e përgjithshme të BE-së ndaj Kosovës ka të ngjarë të jenë të papërfillshme”.

Megjithatë, duke qenë se nga zgjedhjet do dalë edhe emri i ri i Përfaqësuesit të Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, aktualisht nën udhëheqjen e diplomatit spanjoll, Josep Borrell, përgjegjës edhe për lehtësimin e dialogut Kosovë-Serbi, ai shton se eurodeputetët duhet të sigurohen që shefi i politikës së jashtme të mos emërohet nga një vend që nuk e njeh Kosovën.

“E vetmja gjë thelbësore që duhet të bëjnë eurodeputetët është të sigurojnë që Përfaqësuesi i Lartë/Zëvendëspresidenti i Komisionit Evropian të vijë nga një shtet njohës dhe që ata të angazhohen gjatë seancës së konfirmimit të tyre në PE për të mbështetur Kosovën në rrugën drejt BE-së, që nënkupton heqjen e menjëhershme të masave të çuditshme kundër vendit”, nënvizon ai.

Zgjedhjet për PE-në, trup i cili numëron 720 ulëse, do të mbahen në të gjitha 27 vendet anëtare nga 6 deri më 9 qershor, ku rreth 370 milionë njerëz mund të ushtrojnë të drejtën e votës. Në bazë të sondazheve, ky proces zgjedhor do të sjellë një ngritje të konsiderueshme në numra të partive populiste të krahut të djathtë, aktualisht pjesë e disa parlamenteve kombëtare.

Sekretari i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) në pushtet, Alim Rama, në një intervistë për “Radio France” rreth “ëndrrës evropiane” të Kosovës, derisa komentoi procesin e ri zgjedhor, u shpreh se për Kosovën, ku shumica e popullsisë është myslimane, ngritja e së djathtës “pa dyshim do të ngadalësojë procesin e anëtarësimit” të vendit të vogël ballkanik në bllok.

Megjithatë, pavarësisht vrullit në procesin e zgjerimit për shkak të agresionit rus në Ukrainë, vendi shënoi një progres të kufizuar drejt integrimeve. Kosova dorëzoi dokumentacionin për anëtarësim në BE në dhjetor të vitit 2022, por blloku ende s’e ka shqyrtuar. Dhe arsye për këtë janë kryesisht tensionet e vazhdueshme në marrëdhëniet mes Prishtinës dhe Beogradit.

Në këtë mënyrë, në procesin e zgjerimit ndodhen dhjetë vende, nëntë prej të cilave kanë statusin e vendit kandidat. Kosova vazhdon të mbetet shteti i vetëm në Ballkanin Perëndimor që nuk nuk e ka fituar statusin e vendit kandidat. E sanksionet e vendosura nga BE-ja kundër Kosovës vitin e kaluar, për të parën herë qysh nga shpallja e pavarësisë, zor se mund të injorohen.

Përkundër insistimit të qeverisë së Kosovës se ka ndërmarrë hapat e domosdoshëm për depërshkallëzimin e situatës, përfshirë procesin e fundit zgjedhor në pjesën veriore që u bojkotua nga serbët, masat nuk janë hequr akoma. Kosovës në këtë fazë i kërkohen hapa konkretë nga BE-ja, përfshirë hapjen e procedurave për Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

“Jemi në një pikë ku politikat aktuale dhe diplomacia e qeverisë së Kosovës nuk ndikojnë më në qëndrimin e BE-së. Një shembull i mirë janë masat. Meqenëse heqja e tyre kërkon unanimitet, kjo ka shumë pak gjasa të ndodhë së shpejti, pavarësisht se çfarë bën Prishtina. Pra, edhe nëse asociacioni do të krijohej nesër, disa vende ndoshta do të vendosin veton”, deklaron Vogel.

Por, pavarësisht se partitë e ekstremit të djathtë pritet të kenë sukses në zgjedhjet e ardhshme, dhe pavarësisht kontekstit të rëndë gjeopolitik në kontinentin evropian pas agresionit rus, analistë e njohës të proceseve politike konsiderojnë se Kosova duhet të ngulmojë – përkundër armiqve.

Alejandro Esteso Perez, njohës i procesit të zgjerimit të BE-së në Ballkanin Perëndimor, në një raport të fundit rreth perspektives evropiane të Kosovës pas zgjedhjeve për PE-në, pavarësisht rritjes së konsiderueshme të së djathtës ekstreme euroskeptike, shpreh bindjen se legjislativi i ri do të vazhdojë mbështetjen për aspiratat evropiane të demokracisë më të re në Evropë.

“Prandaj, grupet politike në PE duhet të vazhdojnë të avokojnë për heqjen e sanksioneve të BE-së kundër Kosovës dhe për një zgjidhje në kuadër të dialogut Serbi-Kosovë që përfshin njohje reciproke. KE-ja dhe 27 shtetet anëtare duhet të punojnë drejt miratimit të këtyre thirrjeve”, potencon Esteso Perez në raportin “Zgjedhjet e BE-së në prag: Tre skenarë për Kosovën“.

Në bazë të matjeve, ai vjen në përfundimin se rreth 20 për qind e eurodeputetëve të ardhshëm mund të jenë potencialisht kundër ambicieve të anëtarësimit të Kosovës, qoftë për shkak të kundërshtimit të tyre të përgjithshëm ndaj zgjerimit të BE-së, apo për shkak të qëndrimit negativ mbi sovranitetin e Kosovës – janë pesë vende brenda BE-së që s’e njohin Kosovën.

“Kosova duhet të përshpejtojë dhe forcojë reformat demokratike për të konsoliduar veten si një partner demokratikisht i besueshëm. Kjo, krahas miratimit të një pozicioni politikisht më fleksibël kundrejt aleatëve të ndërkombëtarë, mund të ndihmojë në vendosjen e Kosovës në një pozitë më të rehatshme, veçanërisht në kuadër të dialogut”, propozon Esteso Perez.

Ndryshe, përkundër se është ende herët për të pasur vlerësime të qarta, duke qenë se përbërja e institucioneve do të dihet në vjeshtën e vonë, rikonfigurimi i raportit të forcave do të ndryshojë dinamikën kontinentale e cila jo-domosdoshëmrisht shkon në favor të kosovarëve. Kosova shpejt do ta gjejë veten në rolin e spektatores së zhvillimeve politike brenda BE-së.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore