E dhëna e re sfiduese mbi zhdukjen e Neandertalëve

SHFLETO
Sadiola Xhelili
11.02.2022 10:45
Loading Icons...

Disa fosile të zbuluara së fundmi duket se janë sfiduese mbi idenë se njerëzit modernë i kanë zhdukur Neandertalët pasi mbërritën nga Afrika.

Në një shpellë në Francën jugore, një zbulim i dhëmbëve të një fëmije dhe veglave prej guri ka sugjeruar se Homo sapiens-i ishte në Evropën Perëndimore afro 54 mijë vjet më parë.

Nga sa mendohej më parë, kjo është edhe disa mijëra vjet e hershme dhe tregon se të dyja speciet mund të kishin bashkëjetuar për periudha të gjata.

Ky hulumtim është publikuar në revistën Science Advances, tregon agjencia e lajmeve “BBC”.

Lidhur me gjetjet, ajo janë zbuluar në një shpellë të njohur si Grotte Mandrin në Luginën e Rhone, nga një ekip i udhëhequr nga profesori Ludovic Slimak i Universitetit të Toulouse.

Profesori në fjalë ka mbetur i habitur kur ka mësuar se kishte prova të një vendbanimi të hershëm modern njerëzor.

“Tani jemi në gjendje të demonstrojmë se Homo sapiens-i mbërriti 12 mijë vjet përpara dhe kjo popullsi u zëvendësua më pas nga popullsitë e tjera të Neandertalit”, ka thënë ai.

Sipas tij, kjo e dhënë “rishkruan të gjithë librat tanë të historisë”.

Në Evropë, mendohet se Neandertalët u shfaqën qysh 400 mijë vjet më parë.

Sakaq, teoria aktuale sugjeron se ata janë zhdukur afro 40 mijë vjet më parë, jo shumë kohë pasi Homo sapiens-i mbërriti në kontinent nga Afrika.

Por zbulimi i ri sugjeron se speciet tona mbërritën shumë më herët dhe se dy speciet mund të kenë bashkëjetuar në Evropë për më shumë se 10 mijë vjet përpara se Neandertalët të zhdukeshin.

Profesori Chris Stringer, nga Muzeu i Historisë Natyrore në Londër, ka thënë se e dhëna e re e sfidon pikëpamjen aktuale.

“Ndonjëherë e kishin Neandertalët avantazhin, ndonjëherë njerëzit modernë e kishin avantazhin, kështu që ka qenë e ekuilibruar”, ka dalluar ai.