Shqipëria

Dosja e tjetërsimit të tokës në Himarë i kalon SPAK-ut, i përfshirë edhe Bollano


Drejtuesi i komanduar i Bashkisë së Himarës, Arqile Bollano, është kthyer në subjekt të Prokurorisë Speciale Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).

Kjo për shkak të dosjes hetimore, e cila është transferuar nga Prokuroria e Vlorës në Prokurorinë e Posaçme SPAK.

Hetimi i nisur nga prokuroria e Vlorës ka nisur mbi disa kallëzime te banorëve te zonës, për tjetërsim pronash, ku kjo e fundit shpalli moskompetencën duke ia kaluar SPAK.

Dosja lidhet me një çështje tjetërsimi prone, për 14 mijë m2 tokë me vendndodhje në Himarë, që dyshohet se janë përfituar nga Bollano.

Toka u dha në vitin 2015 kur bashkia drejtohej nga Jorgo Goro.

Bollano mori detyrën e kryetarit të komanduar të Bashkisë së Himarës në 7 qershor, duke zëvendësuar Blerina Balën, edhe kjo kryetare e komanduar.

Ai u zgjodh me 12 vota pro, pasi Pjervin Gjikuria u tërhoq nga gara.

Vetë Goro ndodhet nën masën e sigurisë arrest me burg.

Ai akuzohet për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 248 e 25 i Kodit Penal, kryer dy herë.

SPAK njoftoi se nga analiza e provave të marra deri në këtë fazë të hetimit është krijuar dyshimi i arsyeshëm se, Goro në cilësinë e Kryetarit të Bashkisë Himarë, në dy episode të ndryshme ka kryer veprime në kundërshtim me ligjin, të cilat përbëjnë mospërmbushje të rregullt të detyrës.

Kjo duke sjellë dhe pasojën kriminale në kuptim të dispozitës për të cilën hetohet.

“Ky shtetas, në bashkëpunim me shtetasin tjetër nën hetim J.B., pa bërë asnjë verifikim konkret sipas detyrimeve ligjore, kanë përcjellë pranë organeve kompetente dokumenta tërësisht të falsifikuara duke bërë të mundur më pas regjistrimin e një sipërfaqe prej 5512 m2 tokë bujqësore në pronësi shtet, në favor të subjektit privat. Kjo sipërfaqe toke e ndodhur në Dhërmi, Vlorë, pas regjistrimit në regjistrat publikë falë edhe veprimeve të kundërligjshme të personave përgjegjës (shtetasve të tjerë nën hetim B.A. dhe V.GJ.) është tjetërsuar në favor të një subjekti privat, duke zhveshur shtetin nga pronësia mbi të”.

SPAK thotë se Gjykata e Posaçme ka caktuar arrest shtëpie për tre zyrtarë dhe për Stavri Mëhillin.

Ndërkohë që në “Arrest shtëpie” u lanë shtetasit: Jerasimo Bashi, drejtor i Drejtorisë së Mbrojtjes dhe Menaxhimit të Tokës, në Bashkinë e Himarës, Bilbil Aliaj, ish-drejtor i ASHK-së Vlorë, si dhe Vezir Gjikoka jurist pranë Kadastrës së Vlorës.

Ata akuzohen për shpërdorim detyre.

Mëhilli akuzohet për veprën penale “Falsifikimi i dokumentave”, më shumë se një herë, dhe “Falsifikimi i vulave, i stampave, ose i formularëve”, më shumë se një herë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore