Lajme

Dodik’ut nuk i bëjnë përshtypje investimet amerikane


Presidenti ultra-nacionalist i Rebublikës Srpska – entiteti serb në Bosnje e Hercegovinë, Millorad Dodik, ka vazhduar kritikat në drejtim të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku është shprehur se “do t’i ishim më mirënjohës nëse ShBA-të nuk do të kishin dhuruar asnjë dollar, por vetëm nëse do të ishin sjellë politikisht korrekt në Bosnje dhe Hercegovinë”.

Këto komente, Dodik i bëri pas publikimit të hulumtimit nga mediat në BeH për investimet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në RS.

Sipas të dhënave të publikuara, ShBA-të kanë investuar në RS hiq më pak se 638 milionë dollarë amerikanë, që nga viti 1995. Këtë informacion e ka prezantuar edhe ambasada amerikane në BeH.

Por, këto nuk i bëjnë përshtypje liderit autoritar të RS, Millorad Dodik, pasi ai pretendon se “ambasada e ShBA-së i ka shkaktuar shumë më tepër dëm Republikës Srpska sesa përfitime nga mjetet financiare që i ka investuar”.

“Ambasada e SHBA-së në Sarajevë mund të shtojë dëmet e bëra në Republikën Srpska nga viti 1995 deri në vitin 2023. Është fare e sigurt se shumë herë tejkalon shumën e deklaruar si ndihmë dhe investim në infrastrukturë. Ne do t’u ishim më mirënjohës nëse nuk do të dhuronin qoftë edhe një dollar dhe nëse do të silleshin politikisht korrekte në Bosnje dhe Hercegovinë”, tha Dodik, transmeton media boshnjake Oslobodenje.

Ndryshe, Republika Srpska – entiteti serb në Bosnje e Hercegovinë – ka miratuar të enjten e 23 marsit vendimin për ndërprerjen e bashkëpunimit me diplomatët amerikanë dhe ata britanikë, kinse për shkak të “aktiviteteve kundër Marrëveshjes së Dejtonit (1995)”.

“Qeveria e Republikës Srpska deklaron se RS është e detyruar të ndërpresë bashkëpunimin me diplomatët e të dy ambasadave dhe në këtë drejtim kërkon nga institucionet e RS, përfaqësuesit e Republikës Srpska në institucionet e përbashkëta në nivel të BeH, organet e vetëqeverisjes lokale në Republika Srpska, si dhe autoritetet e tjera publike të mos bashkëpunojnë me ambasadat e ShBA-së dhe Britanisë së Madhe”, thuhet në vendim.

Tutje, në këtë vendim thuhet se qeveria e Republikës Srpska “është e bindur se ky lloj veprimi i ambasadave të ShBA-së dhe Britanisë së Madhe nuk është në përputhje me politikat zyrtare të SHBA-së dhe Britanisë së Madhe ndaj Bosnje-Hercegovinës”.

“Pezullimi i bashkëpunimi do të zgjasë derisa ambasadat e ShBA-së dhe Britanisë së Madhe të ndalojnë praktikën e ndërhyrjes në punët e brendshme të Bosnjë-Hercegovinës”, thotë njoftimi i Qeverisë së Republikës Srpska, transmeton rrjeti ballkanik i lajmeve N1.

Ndërkaq, sipas tyre “është obligim i ambasadave të ShBA-së dhe Britanisë së Madhe që të mos ndërhyjnë në punët e brendshme të vendeve të tjera”, dhe vazhdon “kjo gjë që vlen edhe për Bosnje-Hercegovinën ku ata janë vetëm përfaqësues diplomatikë”.

“Qeveria e Republikës Srpska do të informojë institucionet kompetente të ShBA-së dhe Britanisë së Madhe për ndërprerjen e bashkëpunimit me ambasadat e SHBA-së dhe Britanisë së Madhe për shkak të aktiviteteve të tyre anti-Dejton dhe shkeljeve të së drejtës ndërkombëtare, Kartës së Kombeve të Bashkuara. dhe Konventa e Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike”, thuhet aty.

Ndryshe, ambasadorët e vendeve anëtare të Bordit Drejtues të Këshillit Paqeruajtës në Bosnje dhe Hercegovinë lëshuan dje një deklaratë në të cilën shprehën shqetësimin e tyre të thellë për ngjarjet e fundit në Republikën Srpska, të cilat synojnë ngushtimin e hapësirës civile dhe reduktimin e debatit publik. Në të njëjtën deklaratë, ata shprehin keqardhjen e tyre për njoftimet e bëra nga autoritetet e Republikës Srpska, të cilat u realizuan këtë të enjte.

“Bordi Drejtues shpreh keqardhjen e tij për njoftimin e autoriteteve të Republikës Srpska se synon të ndërpresë në mënyrë të njëanshme bashkëpunimin me përfaqësuesit e dy anëtarëve të Bordit Drejtues, që është një hap i dëmshëm kundër interesave të qytetarëve në RS. Anëtarët e Bordit të Drejtorëve luajnë një rol kyç në zbatimin e aspekteve civile të Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit”, thuhet në njoftimin Bordit Drejtues të Këshillit Paqeruajtës në BeH.

Kujtojmë se më gjashtë janar të vitit 2022, Ministria e Financave e Shteteve të Bashkura të Amerikës njoftoi se ka vendosur sanksionone ndaj sundimtarit ultranacionalist të “Republika Srpska”, Millorad Dodik. Po ashtu, sanksione kundër tij kishte vendosur edhe Britania e Madhe në prill të vitit 2022.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore