Lajme

Dodik: Republika Srpska të bashkohet me Serbinë


Millorad Dodik

Presidenti ultra-nacionalist i Republikës Srpska – entiteti serb në Bosnje e Hercegovinë, Millorad Dodik, është shprehur këtë të premte se “të ardhmen e shoh në bashkimin e Serbisë dhe Republikës Srpska”.

Këto komente, Dodik i bëri në përvjetorin e 24-të të bombardimeve të NATO-s ndaj Serbisë, saktësisht me 24 mars të vitit 1999, pas krimeve të kryera nga forcat serbe kundrejt popullsisë shqiptare të Kosovës.

Përmes një fjalimi, Dodik vazhdoi të përsërit kërcënimet për shkëputjen e Republikës Srpska nga Bosnja e Hercegovina.

“Tani ata duan të rrëmbejnë pronën, ndërkaq unë u them – në momentin që ju përpiqeni të rrëmbeni pronën tonë, ju keni thirrur një seancë të Kuvendit të Republikës Srpska, ku do të marrim një vendim për pavarësinë e Republikës Srpska. Mjaft më me premtimet e juaja të rreme, nuk do t’ju shikoj dhe nuk do t’ju duroj”, tha Dodik, transemton Radio Evropa e Lirë.

Ndryshe, Republika Srpska – entiteti serb në Bosnje e Hercegovinë – ka miratuar të enjten vendimin për ndërprerjen e bashkëpunimit me diplomatët amerikanë dhe ata britanikë, kinse për shkak të “aktiviteteve kundër Marrëveshjes së Dejtonit (1995)”.

“Qeveria e Republikës Srpska deklaron se RS është e detyruar të ndërpresë bashkëpunimin me diplomatët e të dy ambasadave dhe në këtë drejtim kërkon nga institucionet e RS, përfaqësuesit e Republikës Srpska në institucionet e përbashkëta në nivel të BeH, organet e vetëqeverisjes lokale në Republika Srpska, si dhe autoritetet e tjera publike të mos bashkëpunojnë me ambasadat e ShBA-së dhe Britanisë së Madhe”, thuhet në vendim.

Tutje, në këtë vendim thuhet se qeveria e Republikës Srpska “është e bindur se ky lloj veprimi i ambasadave të ShBA-së dhe Britanisë së Madhe nuk është në përputhje me politikat zyrtare të SHBA-së dhe Britanisë së Madhe ndaj Bosnje-Hercegovinës”.

“Pezullimi i bashkëpunimi do të zgjasë derisa ambasadat e ShBA-së dhe Britanisë së Madhe të ndalojnë praktikën e ndërhyrjes në punët e brendshme të Bosnjë-Hercegovinës”, thotë njoftimi i Qeverisë së Republikës Srpska, transmeton rrjeti ballkanik i lajmeve N1.

Ndërkaq, sipas tyre “është obligim i ambasadave të ShBA-së dhe Britanisë së Madhe që të mos ndërhyjnë në punët e brendshme të vendeve të tjera”, dhe vazhdon “kjo gjë që vlen edhe për Bosnje-Hercegovinën ku ata janë vetëm përfaqësues diplomatikë”.

“Qeveria e Republikës Srpska do të informojë institucionet kompetente të ShBA-së dhe Britanisë së Madhe për ndërprerjen e bashkëpunimit me ambasadat e SHBA-së dhe Britanisë së Madhe për shkak të aktiviteteve të tyre anti-Dejton dhe shkeljeve të së drejtës ndërkombëtare, Kartës së Kombeve të Bashkuara. dhe Konventa e Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike”, thuhet aty.

Ndryshe, ambasadorët e vendeve anëtare të Bordit Drejtues të Këshillit Paqeruajtës në Bosnje dhe Hercegovinë lëshuan dje një deklaratë në të cilën shprehën shqetësimin e tyre të thellë për ngjarjet e fundit në Republikën Srpska, të cilat synojnë ngushtimin e hapësirës civile dhe reduktimin e debatit publik. Në të njëjtën deklaratë, ata shprehin keqardhjen e tyre për njoftimet e bëra nga autoritetet e Republikës Srpska, të cilat u realizuan këtë të enjte.

“Bordi Drejtues shpreh keqardhjen e tij për njoftimin e autoriteteve të Republikës Srpska se synon të ndërpresë në mënyrë të njëanshme bashkëpunimin me përfaqësuesit e dy anëtarëve të Bordit Drejtues, që është një hap i dëmshëm kundër interesave të qytetarëve në RS. Anëtarët e Bordit të Drejtorëve luajnë një rol kyç në zbatimin e aspekteve civile të Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit”, thuhet në njoftimin Bordit Drejtues të Këshillit Paqeruajtës në BeH.

Kujtojmë se më gjashtë janar të vitit 2022, Ministria e Financave e Shteteve të Bashkura të Amerikës njoftoi se ka vendosur sanksionone ndaj sundimtarit ultranacionalist të “Republika Srpska”, Millorad Dodik. Po ashtu, sanksione kundër tij kishte vendosur edhe Britania e Madhe në prill të vitit 2022.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore