Lajme

Dodik nënshkroi ligjin anti-Dejton, Blinken: Minon Marrëveshjen e Dejtonit


Antony Blinken

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka bërë paralajmërime të fuqishme këtë të shtune kundër presidentit ultra-nacionalist të Republikës Srpska – entiteti serb në Bosnje e Hercegovinë – Millorad Dodij, pas dekretimit të ligjit për shpalljen e Ligjit për ndryshimin e Ligjit për publikimin e Ligjeve dhe Rregulloreve të tjera të RS-së.

Përmes miratimit të këtij ligji, vendimet e Përfaqësuesit të Lartë në BeH, Christian Schmidt, nuk do të botohen në gazetën zyrtare të RS-së, ndërsa për këtë veprim Blinken ka thënë se shkelet kushtetuta e BeH dhe minohet Marrëveshjen e Dejtonit (marrëveshja që i dha fund luftës në BeH, më 1995)

“Nënshkrimi i një ligji nga presidenti i Republika Srpska Dodik që refuzon autoritetin e Përfaqësuesit të Lartë shkel kushtetutën e Bosnje dhe Hercegovinës dhe minon Marrëveshjen e Dejtonit. SHBA-të mbështesin Përfaqësuesin e Lartë dhe sovranitetin, integritetin territorial dhe karakterin multietnik të saj”, ka shkruar Blinken në Twitter.

Ndryshe, ky nënshkrim i dekretit nga Dodik vjen vetëm pak ditë pasi që Përfaqësuesi i Lartë në Bosnje e Hercegovinë, Christian Schmidt, kishte vendosur të shtunën e 1 korrikut lidhur me ligjin për moszbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të BeH në territorin e Republikës Srpska, të miratuar nga Asambleja Kombëtare e RS, bazuar në kompetencat e Bonit (të parapara në Marrëveshjen e Dejtonit, më 1995, e cila i dha fund luftës në BeH)

Ai ka vendosur se nuk do të hyjë në fuqi ligji për mospublikimin e vendimeve të Përfaqësueses së Lartë, i miratuar nga Asambleja Kombëtare e Republikës Srpska, si dhe ligji për moszbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të Bosnjë e Hercegovinës.

“Vendimi i Asamblesë Kombëtare të Republikës Srpska cenon drejtpërdrejt rendin kushtetues të BeH-së, dhe rrjedhimisht Marrëveshjen e Dejtonit. Institucionet e entitetit nuk kanë të drejtë të devijojnë nga vendimet e institucioneve shtetërore, si dhe të devijojnë nga institucionet e bazuara në Kushtetutën e BeH-së”, theksoi Schmidt, duke komentuar ligjin për moszbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të BeH për territorin e RS.

“Pasojat më të mëdha të aventurizmit të tillë të liderëve politikë në RS do t’i vuajnë banorët e RS-së”, potencoi ai.

Po ashtu, Përfaqësuesi i Lartë njoftoi se ka marrë një vendim për ndryshimet në Kodin Penal, i cili sanksionon sulmin ndaj rendit kushtetues në Bosnje dhe Hercegovinë.

“Më lejoni të bëj një paralajmërim. Të gjitha opsionet janë në tryezë dhe ju të gjithë e dini shumë mirë se çfarë përfshijnë fuqitë e Bonit në dispozicionin tim”, paralajmëroi Schmidt.

Në konferencën për shtyp që ka mbajtur ai nuk ka specifikuar saktësisht se cilat dispozita të Kodit Penal të Bosnjë e Hercegovinës po ndryshon, por mediat boshnjake supozojnë se bëhet fjalë për artikuj që flasin për sulm ndaj rendit kushtetues, për tentativat për të shkëputur me forcë një pjesë të vendit dhe për dobësimin e fuqisë ushtarake të shtetit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore