Lajme

Dodik: Kur të vjen Trumpi në pushtet, do ta shpall pavarësinë e Republikës Sërpska


Millorad Dodik

Millorad Dodik, presidenti i entitetit serb në Bosnjë-Hercegovinë, ka kërcënuar sërish me ndarjen e Republikës Sërpska, ndërsa pret “rrethanat e duhura” në skenën ndërkombëtare në mënyrë që të arrijë planin e shkëputjes nga pjesa tjetër, përkatësisht nëse ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), Donald Trump, rizgjidhet në krye të vendit.

“Kur Donald Trumpi fitoi në SHBA, unë kisha ndërmend të shpallja pavarësinë e Republikës Sërpska. Pastaj disa rreth meje u trembën dhe unë nuk e bëra. Sot jam penduar që nuk e bëra. Por nëse Trump do të fitonte sërish, nuk mendoj se do të hezitoja”, ka thënë udhëheqësi secesionist i serbëve të Bosnjë-Hercegovinës, transmetojnë mediat boshnjake.

Ai ka thënë se beson në pavarësinë e Republikës Sërpska dhe, për më tepër, beson se kjo do të ndodhë një ditë. Dodiku nuk e fsheh aspak dëshirën për t’u ndarë nga Bosnjë-Hercegovina, derisa flet për mundësinë e shpalljes së pavarësisë sa hërë i vjen rasti, duke vazhduar të cenojnë integritetin territorial dhe sovranitetin e Bosnjë-Hercegovinës.

Dodik, i cili ka mbështetjen e heshtur të Rusisë dhe Serbisë, ka kohë që është vendosur nën sanksionet e SHBA-ve për shkak të aktiviteteve destabilizuese. Ai ka shkelur në mënyrë sporadike Kushtetutën e Bosnjë-Hercegovinës dhe ka minuar Marrëveshjen e Paqes të Dejtonit (1995), ndërsa shpesh viziton presidentin rus, Vladimir Putin, në Moskë.

Autoritetet e Republikës Sërpska e refuzojnë kategorikisht autoritetin e Gjykatës Kushtetuese të Bosnjë-Hercegovinës dhe zbatojnë një qëndrim konfrontues ndaj shteteve perëndimore të drejtuara nga SHBA-të, derisa presidenti ultra-nacionalist i serbëve haptazi bën thirrje për pavarësi dhe flet publikisht për bashkimin e entitetit serb me Serbinë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore