Lajme

Disa marka kryesore luksoze mbyllin përkohësisht dyqanet në Rusi


Disa marka kryesore luksoze, duke përfshirë “Hermes”, pronarin e “Cartier”, “Richemont”, “LVMH”, “Kering” dhe “Chanel”, njoftuan se do të mbyllin përkohësisht dyqanet dhe do të ndalojnë operacionet e biznesit në Rusi.

“Duke pasur parasysh shqetësimet tona në rritje për situatën aktuale, pasigurinë në rritje dhe kompleksitetin për të operuar, ‘Chanel’ vendosi të ndalojë përkohësisht biznesin e saj në Rusi”, tha shtëpia franceze e modës luksoze në një postim në median sociale LinkedIn.

Gjigandi luksoz “LVMH”, i cili zotëron marka të tilla si “Christian Dior”, “Givenchy”, “Kenzo”, “TAG Heuer” dhe “Bulgari” ndër të tjera, do të mbyllë 124 butikët e tij në Rusi nga e diela, por do të vazhdojë të paguajë pagat për 3 mijë e 500 punonjësit e tij në vend, tha një zëdhënës për “Reuters”.

Shumëkombëshja franceze “Kering”, e cila përfshin marka si “Gucci”, “Saint Laurent”, “Bottega Veneta” dhe “Boucheron” ndër të tjera, ka dy dyqane dhe 180 punonjës, të cilët kompania do të vazhdojë t’i mbështesë.

Ndërsa rusët e pasur janë konsumatorë të etur të mallrave luksoze, analistët thonë se përqindja e shitjeve të luksit të krijuara nga shtetasit rusë është e vogël në krahasim me motorët kryesorë të rritjes së industrisë, Kinën dhe Shtetet e Bashkuara.

“Richemont”, i cili gjithashtu zotëron “Dunhill”, “Jaeger-LeCoultre”, “Montblanc”, “Piaget” dhe “Van Cleef & Arpels” mes markave të tjera, ka rreth një duzinë dyqane të operuara drejtpërdrejt, kryesisht në Moskë. Ajo tha në një deklaratë se kishte pezulluar aktivitetet tregtare në Rusi më 3 mars pasi ndaloi operacionet në Ukrainë më 24 shkurt, ditën kur Rusia filloi pushtimin e saj.

Për të ndjekur zhvillimet e ditës së nëntë të luftimeve, kliko KËTU

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore