Kosova

Diplomacia e Hillit s’është në përputhje me Shtëpinë e Bardhë, thotë profesori kroat


Tvrtko Jakovina

Tvrtko Jakovina, profesor në fakultetin filozofik në Zagreb të Kroacisë, në një intervistë për gazetën malazeze “Pobjeda” të dielën, ka thënë se pikëpamjet e ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) në Serbi, Christopher Hill, posaçërisht rreth Kosovës, nuk janë në përputhje me qëndrimin zyrtar të Shtëpisë së Bardhë për Ballkanin Perëndimor.

“Gjermania ka ndryshuar qëndrimin ndaj Serbisë… Por, kur është fjala për Serbinë, mendoj se ekziston një dallim i qartë mes politikës së SHBA-së dhe politikës së ambasadorit amerikan në Serbi. Nuk do të thosha se këtu ka një marrëveshje të plotë: duket se përfaqësuesi diplomatik amerikan në Serbi është shumë më i pavarur se zakonisht”, ka theksuar profesori kroat.

“Unë do të habitesha shumë nëse pikëpamjet e ambasadorit amerikan në Serbi për njohjen e Kosovës apo hyrjen e Serbisë në Bashkimin Evropian (BE) do të përputheshin me Shtëpinë e Bardhë”, ka shtuar ndër të tjera ai.

Ndryshe, ambasadori Hill, i cili kritikon në mënyrë rutinore Kosovën, por asnjëherë Serbinë, për shkak të dështimit për t’iu përmbajtur marrëveshjeve të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, vlerësoi se Serbisë pro-ruse nuk do t’i kërkohet njohja de jure për t’u bërë anëtare e BE-së. 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore