Shqipëria

Dhunimi i avokatit Sokol Mëngjesi, Prokuroria kërkon burg për 2 të arrestuarit


Prokuroria ka kërkuar dënim me burg për dy të arrestuarit lidhur me dhunën e ushtruar ndaj avokatit Sokol Mëngjesi, ngjarje e ndodhur në zonën e ish-Bllokut në kryeqytet.

Mëngjesi, i cili u dhunua paraditen e 29 majit në Tiranë, është futur në koma në Spitalin e Traumës.

Ishte Policia e Shtetit ajo që njoftoi se rreth orës 08:50, në zonën e ish-Bllokut në Tiranë, persona ende të paidentifikuar kanë goditur shtetasin Sokol Mëngjesi, me profesion avokat.

Ai është dërguar menjëherë në spital për dhënien e ndihmës mjekësore dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve.

Gjendja e tij shëndetësore fillimisht është raportuar si normale, por më pas është bërë me dije se ai i është nënshtruar intubimit.

Komisioni i Ligjeve ka reaguar në lidhje me ngjarjen e ndodhur mëngjesin e sotëm, ku një avokat u sulmua nga persona ende të paidentifikuar.

Anëtari i Komisionit, deputeti i Partisë Demokratike, Asllan Dogjani, kërkoi angazhim të strukturave të shtetit për zbardhjen e ngjarjes dhe vënien para drejtësisë së autorëve.

“Ka ndodhur një ngjarje e rëndë. Avokati dhe pedagogu Sokol Mëngjesi është goditur në mes të ditës me leva. Kjo ngjarje tregon që krimi nuk ka frikë nga ligji, se nuk kemi sundim të ligjit, pasi institucionet nuk janë në krye të detyrës. Qytetarët janë të pasigurtë. Ndaj dhe Shqipëria do të vazhdojë të boshatiset dita-ditës”, u shpreh ai gjatë mbledhjes së Komisionit.

Edhe kryetarja e Komisionit, Klotilda Bushka, dënoi dhunën e ushtruar ndaj avokatit.

Ajo u bëri thirrje organeve ligjzbatuese të hetojnë dhe të nxjerrin para përgjegjësisë autorët.

“Në emër të Komisionit, solidarizohemi të gjithë si kolegë dhe kundërshtojmë çdo akt dhune ndaj avokatëve dhe çdo personi që ushtron profesionin e juristit. U bëj thirrje organeve të hetojnë dhe nxjerrin para përgjegjësisë fajtorët, pasi kushdo ka të drejtën për t’u mbrojtur”.

Për të, dhuna është e papranueshme.

“Jam e bindur se organet e drejtësisë janë duke punuar për të zbardhur të vërtetën. Uroj që avokati Mëngjesi të rikuperohet. Solidarizohemi me të!”.

Dhoma e Avokatisë së Shqipërisë nga ana tjetër ka reaguar në lidhje me dhunën e ushtruar ndaj avokatit Sokol Mëngjesi.

Në një deklaratë, Dhoma dënon ashpër dhunën duke evidentuar se ky nuk është rasti i parë që sulmohen fizikisht apo psikologjikisht avokatët në Shqipëri.

Ajo i ka bërë thirrje autoriteteve të zbardhin ngjarjen në një kohë sa më të shkurtër, ndërsa ka shtuar se janë besimplotë që reagimi do të jetë kambanë alarmi për organet ligjzbatuese.

“Kërcënimi i avokatëve, sidomos për shkaqe që lidhen me ushtrimin e detyrës jo vetëm cenojnë rëndë misionin e avokatit në ushtrim të profesionit të tij, por krijojnë situata të vështira që duhen të vlerësohen maksimalisht”.

Më tej, Dhoma e Avokateve garanton të gjithë avokatet në Republikën e Shqipërisë se ajo do të jetë në krah të çdo avokati ndaj të cilit ushtrohet dhunë e çfarëdo lloji nga kushdo qoftë, pavarësisht se nga kush dirigjohet dhuna.

“Shprehemi besimplotë se reagimi ynë do të shërbejë si kambanë alarmi për organet ligjzbatuese jo vetëm për këtë rast, por edhe për raste të tjera që cenojnë sigurinë e jetës së avokatëve dhe të familjeve të tyre”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore