Lajme

Dhunimi i 11-vjeçares, Haxhiu akuzon Prokurorinë për neglizhencë


Albulena Haxhiu

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, është shprehur e shqetësuar me neglizhencën e institucioneve të Drejtësisë lidhur me dhunimin e 11-vjeçares në Prishtinë.

“Rasti ishte raportuar në fund të qershorit, dhe është dashur të presim dy muaj që fajtorët të arrestohen. Prokurori nuk ka vepruar dhe, është i njëjti prokuror i rastit që, nuk kishte marrë masa edhe në një rast në Fushë Kosovë, ku një e mitur ka humbur jetën”, tha Haxhiu në ATV.

Ajo theksoi se duhet që t’ju vie fundi zyrtarëve publikë që nuk i kryejnë detyrat e tyre.

“Mes viteve 2016 – 2022, gjykatat tona kanë arritur t’i realizojnë vetëm 10% të rasteve të veprës penale të dhunimit seksual”

Haxhiu foli edhe për nevojën urgjente për të bërë reforma në drejtësi, sepse sipas saj, “qytetarët e kanë humbur besimin te sistemi”.

Kurse, për vettingun tha se Qeveria e ka dorëzuar draft/dokumentin në Kuvend.

“E kemi dorëzuar në Kuvend koncept – dokumentin. Kemi marrë edhe opinionet e Komisionit të Venecias”.

Akuzat e Haxhiut janë shpeshtuar këtyre ditëve ndaj prokurorëve dhe gjyqtarëve pas dhunimit të një 11-vjeçare në Prishtinë.

Të dielën e 4 shtatorit, ajo ka theksuar se gjyqtarët dhe prokurorët konsiderohen se kanë pagat më të larta në rajon, por, për shkak të mosveprimeve apo veprimeve të tyre të gabuara, po humbim jetë grash, po dhunohen seksualisht të miturit, por “dhunohen fizikisht gratë dhe vajzat, dhe korrupsioni i madh mbetet i pandëshkuar”.

Kur është pyetur për dhunimin e 11-vjeçares, ajo ka pohuar se “ka pasur dy dorëheqje, dhe urojmë që të ketë edhe të tjera, pasi siç e kuptojmë, ka edhe zyrtarë tjerë që nuk i kanë kryer detyrat siç duhet”.

“Kam kërkuar dorëheqjen e Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë. Po të vepronte prokuroria me kohë, ata persona do arrestoheshim shumë më herët”, shtoi Haxhiu.

“Duhet të merren veprime ndaj prokurorëve dhe gjyqtarëve që nuk kanë kryer detyrat e tyre”.

Ndërsa kryeministri Kurti, ka thënë se puna e nisur nuk mund të mbarojë pa Vettingun dhe sigurimin që institucionet e parandalojnë krimin dhe gjykatat japin dënimet e merituara.

“Në mbi 85 për qind të këtyre rasteve kanë qenë të mitura. 140 prokurorë kanë lejuar parashkrimin e rasteve të dhunës seksuale. Më shumë se gjysma e gjykatësve në Kosovë kanë shqiptuar vetëm dënime me kusht dhe gjobë, dhe rreth 140 prokurorë nga gjithsej 200 sa janë”.

Të martën dhe të mërkurën është protestuar në Prishtinë nga mijëra qytetarë.

Ndërkaq, për këtë rast është shkarkuar drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës dhe drejtori i Drejtoratit për Trajtimin e të Burgosurve dhe të Miturve, Ali Gashi.

11-vjeçarja u raportua se ishte dhunuar në Prishtinë nga 5 burra për 7 orë. Për rastin e saj kanë reaguar qytetarë, aktivistë, figura të njohura e politikanë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore