Lajme

Deri në fund të prillit në Irlandë mund të mbërrijnë 40 mijë refugjatë ukrainas


Zëvendëskryeministri irlandez (Tanaiste) Leo Varadkar tha të martën se ai pret që 40 mijë refugjatë ukrainas të jenë në Irlandë deri në fund të prillit.

Ndërsa fliste në parlamentin irlandez, Varadkar tha se që nga mëngjesi i së martës, më shumë se 10 mijë ukrainas kishin mbërritur në vend dhe ishin regjistruar për mbrojtje ndërkombëtare.

Varadkar tha se ai pret që ky numër të rritet në 2 mijë deri në fund të marsit, duke shtuar se ishte “e arsyeshme të supozohej” se shifra mund të arrijë në 40 mijë deri në fund të prillit.

“Ajo që po shohim gjatë disa javëve është në fakt një rritje prej një për qind në popullsinë tonë, vetëm brenda disa javësh, dhe kjo do të ketë ndikime serioze në arsim, në kujdesin shëndetësor, në strehim, në shoqëri, mbrojtjen, mbi financat publike, madje edhe për gjëra të tilla si emetimet e gazeve serrë. Absolutisht të gjitha llogaritjet tona ndryshojnë kur popullsia juaj rritet me 1 ose 2 për qind brenda disa javësh”, tha Varadkar.

Kujtojmë që kjo është dita e 27-të e luftimeve mes Rusisë dhe Ukrainës. Kjo e fundit ka bërë një rezistencë të lartë kundër trupave dhe bombardimeve ruse.

Sipas OKB-së, mbi 10 milionë njerëz janë larguar nga Ukraina dhe numri i ushtarëve rusë të vrarë nuk dihet ende – mendohet mbi 13 mijë.

Ndërsa nga shifrat vendase, rreth 2 mijë e 500 civilë mendohet se janë vrarë vetëm në Mariupol nga bombardimet ruse – mes tyre edhe fëmijë.

Ndërsa OKB-ja ka raportuar të paktën 816 njerëz të vrarë dhe 1 mijë e 333 të plagosur që nga fillimi i pushtimit rus në Ukrainë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore