Lajme

Dënohet me 20 vite burg drejtuesja e batalionit islamik, Khatiba Nusaybah


Allison Fluke Ekren, një grua nga Kansas-i, e cila drejtoi një batalion të Shtetit Islamik (IS) është dënuar me 20 vjet burg.

Vetë fëmijët e saj e denoncuan atë në Gjykatë dhe treguan abuzimet që ajo bëri ndaj tyre.

Ekren mori dënimin maksimal, me 20 vite.

42-vjeçarja pranoi se ajo drejtonte Khatiba Nusaybah, një batalion, në të cilin rreth 100 gra dhe vajza mësuan se si të përdorin armë automatike dhe të shpërthejnë granata.

Një pjesë e vajzave ishin në moshën 10-vjeçare.

Edhe vetë vajza e Ekren-it pranoi se ishte pjesë e grupit dhe se kishte marrë një trajnim të tillë.

Vajza dhe djali më i madh i kërkuan gjykatëses të vendoste një dënim maksimal.

Ata thanë se ishin abuzuar fizikisht dhe seksualisht nga nëna e tyre dhe në letrat drejtuar Gjykatës përshkruan keqtrajtimin me detaje të tmerrshme.

Nga ana tjetër, ajo e mohoi abuzimin.

Gjatë seancës gjyqësore, Ekren-i kërkoi një dënim me dy vite me justifikimin që ajo duhet të rriste fëmijët e saj të vegjël.

Ajo e portretizoi Khatiba Nusaybah si një qendër komunitare për gratë, e cila u shndërrua në një sërë klasash vetëmbrojtjeje pasi qyteti i Raqqa-s, ku ata jetonin po përballej me pushtime.

Ajo pranoi se gratë dhe vajzat u mësuan të përdornin rripat vetëvrasës dhe armët automatike, por e portretizoi atë si trajnim sigurie për të shmangur aksidentet në një zonë lufte, ku armë të tilla ishin të zakonshme.

Në një moment, 42-vjeçarja shpjegoi nevojën që gratë të mbroheshin kundër mundësisë së përdhunimit nga ushtarët e armikut.

Gjyqtarja, Leonie Brinkema, bëri të qartë se nuk ishte e impresionuar nga justifikimet e Ekren-it dhe dha dënimin maksimal për rastin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore