Lajme

Deklarata e Hill-it, Clark: Mendoj se ajo që thotë ai është absolutisht e vërtetë


Wesley Clark

Ish-gjenerali amerikan, Wesley Clark, ka thënë se ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi, Christopher Hill, është një diplomat i shkëlqyer, dhe se atë që ai e thotë është absolutisht e vërtetë, pasi që është pyetur për të komentuar deklaratën e Hill-it se “Serbia është më afër NATO-s se sa Kosova”.

Këto komente, Clark i ka bërë në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, në prag të 25 vjetorit të fillimit të bombardimeve të NATO-s ndaj caqeve të policisë dhe ushtrisë serbe për të ndalur spastrimin etnik në Kosovë.

“Mendoj se ambasadori Hill është një diplomat i shkëlqyer. E marr atë që thotë ashtu siç e thotë”, ka thënë Clark, dhe është pyetur më pas se “a mund të shpreheni më konkretisht?”, ku ka deklaruar se “mendoj se atë që thotë ai është absolutisht e vërtetë”.

Hill në një intervistë për televizionin publik serb pretendoi se Serbia është më afër NATO-s se Kosova, kur po fliste për ngjarjet e viteve 1998-99, pasi që u provokua me pyetje nga gazetari serb në lidhje me qëndrimin e SHBA-ve ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Tani punojmë shumë më shumë së bashku (me Serbinë) sesa me UÇK-në apo çfarëdo që ka dalë prej saj”, tha Hill.

Ndonëse e lavdëroi Hill-in, ish-komandanti i NATO-s gjatë kohës së bombardimeve, theksoi se nuk mund të flas në detaje nëse SHBA-të kanë marrëdhënie më të mira me ushtrinë serbe sesa me Kosovën – ashtu siç tha Hill – pasi që “nuk jam pjesë e asaj marrëdhënieje”.

“Unë i shoh gjërat nga jashtë. Por ambasadori Hill duket se ka bërë një punë të mirë për të forcuar këtë marrëdhënie dhe për të çuar përpara raportet mes Shteteve të Bashkuara dhe Serbisë. Dhe kjo është detyra e tij si ambasador. Nëse kjo është (një marrëdhënie) më e fortë apo më e dobët se sa marrëdhënia e Kosovës me Shtetet e Bashkuara dhe NATO-n, këtë nuk mund ta them, sepse i shoh gjërat nga jashtë”, potencoi ai.

Angazhimin e ambasadorit amerikan në Serbi, ish-gjenerali Clark e sheh si një “përpjekje për ta çuar Beogradin në drejtimin e duhur”.

“Shpresoj që ambasadori të arrijë sukses në atë që po bën, sepse është shumë e rëndësishme, do të ishte një arritje e jashtëzakonshme”, shtoi.

Jashtë kësaj, duke folur për bombardimet e NATO-s, ka thënë se është krenar për operacionin që ai e udhëhoqi, derisa ka shtuar se rrjedha e ngjarjeve që kulmoi me pavarësinë e Kosovës (17 shkurt, 2008), u diktua nga brutaliteti i forcave serbe.

“Jam krenar për veprimet që ndërmori NATO-ja në atë kohë për t’i dhënë fund fushatës së spastrimit etnik ndaj shqiptarëve të Kosovës. NATO veproi duke përdorur minimumin e forcës, duke marrë çdo masë parandaluese për të shmangur lëndimin e civilëve të pafajshëm dhe megjithatë e përmbushi synimin për t’i dhënë fund spastrimit etnik”, tha Clark.

Duke folur për aktualitetin, gjenerali amerikan deklaroi se “gjendja në rajon vazhdon të jetë e papranueshme”, sepse, sic thotë ai, “Serbia vazhdon të mos e njohë pavarësinë e Kosovës, vazhdon të ndërhyjë brenda saj dhe trysnia politike ndaj Kosovës, si një vend më i vogël, është shumë e rëndë dhe e vështirë”.

Clark është i mendimit se Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet që të ushtrojnë presion më të madh mbi presidentin serb Aleksandër Vuçiç, për shkak se thotë se Serbia ëshët vend më i fuqishëm e më i madh.

“Kur ShBA-të u kërkojnë palëve të bashkëpunojnë, mendoj se trysninë më të lartë duhet ta ushtrojnë mbi zotin Vuçiç në Serbi. Arsyeja për këtë është se Serbia është vendi më i madh, më i fuqishëm dhe që ka mundësinë më të madhe për fleksibilitet në këtë rast, mundësitë më të mëdha për kompromis”, potencon ai.

“Duket qartë se Serbia ende nuk e ka pranuar që Kosova është e pavarur sot. Dhe duhet bërë paqe me këtë ide. Është një pasojë historike e të gjithë tensioneve dhe një armiqësie të gjatë”, shtoi.

Duke u rikthyer para 25 viteve, pra fillimi i bombardimeve, ish-gjenerali i NATO-s, pohon se ishte një ndërhyrje e nevojshme e cila “u krye në mënyrë rigoroze (posaçërisht) për qëllime humanitare dhe e përmbushi misionin e saj”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore