Lajme

Debati për gazsjellësin – Kurti: “Njëherë strategjia, pastaj projekti”, jo asnasjelltas


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, duke folur për çështjen e ndërtimit të gazjellësit, e cila u zhvillua në debat parlamenetar me plot kritika ndaj qeverisë, tha se “kurrë s’kemi thënë që s’do ta bëjmë gazsjellësin, por edhe po të kishim thënë s’do të ishte fundi i botës”.

Ndërkaq Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se granti i paraparë për ndërtimin e gazësjellësit, “nuk është humbur e as që ka qenë në rrezik të humbet”.

“Granti deri në 200 milionë euro nuk është ndarë specifikisht për infrastrukturë gazi”, tha Kurti.

“Qeveria”, sipas Kurtit, “e ka vlerësuar me kujdes projektin”.

“Kriza energjetike botërore ëshë e parashikuar të zgjasë deri në mesin e vitit tjetër”, tha Kurti, prandaj “nuk ka të bëjë asgjë me këtë projekt”.

Së pari, tha kryeministri, “ndërtohet strategjia, e pastaj projekti”, dhe jo anasjelltas.

“Nuk bën që asnjë vendim të mirret nga frika, nga droja se tash ose kurrë, ose kjo ose asgjë”.

“Duhet të mendojmë. Të planfikojmë pa frikë dhe pa panikë”, vazhdoi ai.

Ndërsa përsëriti sigurinë e tij se “marrëdhëniet me ShBA-në nuk qëndrojnë për një fije peri që të prishen”.

I menjëhershëm qe reagimi i deputetit nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, i cili tha se “ti as që ke mundësi me na i dëmtu relacionet me Amerikën, por ke mundësi me të i vonosh projektet amerikane”.

“Ne s’frikësohemi, frikësoheni ju”, i replikoi Tahiri.

“Me vonesën që je duke e shkaktuar, dhe me retorikën tënde të paargumentushme. Ne mendojmë që ky është një projekt tepër e rëndësishëm që është dashtë me vazhdu”, tha mes tjerash ai.

Ndërkaq Ramush Haradinaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, për mos vazhdimin e projektit të gazsjellësit, tha se “Kryeministri po na i bën mjaftë të qartë që është largu prej këtij projekti, dhe këto fonde i ka orientu tjetër kah”.

“A po na thoni ju lutem, cili është plani juaj, pse ju po keni siguri mos me pranu për shkak të kostos. Krahasuar me çka? A mos është këtu fakti, që ju politikisht keni vendos mos me vazhdu këtë? Për shkak të qeverisë Hoti e Haradinaj, për inati?”, ngreu pyetjen Haradinaj.

Ndërkaq, pyetjen e “problemit”, Haradinaj e ngriti edhe në atë se “A mos keni problem me Amerikën?”

“Cila është?”, iu drejtua Ramush Haradinaj.

Ndërsa në kundërpërgjigje, Kurti tha se sa i përket ridestinimit të fondeve, “kjo nuk është kushti ynë, por mundësia e tyre”.

“Ata na e kanë dhënë këtë mundësi”, tha Kurti.

“E dyta, sa për arrogancën, nuk ka asnjë kryeministër që është përgjigjur në pyetjet parlamentare sikurse unë. Unë këtu e zhvilloj debatin”, u përgjigj ai.

Ndërsa tha se te inicuesit e këtij debati nuk sheh “as dashuri për Amerikën, as për Kosovën”.

“Por urrejte ndaj Qeverisë”, tha Kurti.

“Inatin ju e keni tjetër kund”.

Ndërsa vazhdoi ta lavdërojë fjalimin e ministres së ekonomisë, duke e krahasuar atë me “profesoreshë” ndaj “studentëve”.

“Fundi është se në fund të semestrit, tri studentat e juridikut do ta admirojnë profesoreshën”, përfundoi ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore