Shqipëria

Çuçi i konsideron “të rënda dhe të papranueshme” pamjet e dhunës në Krujë


Ministri i Brendshëm në Shqipëri, Bledi Çuçi i konsideroi të rënda e të papranueshme pamjet e dhunës në Krujë të enjten e 6 korrikut.

“Askush nuk është mbi ligjin dhe s’mund t’u shpëtojë përgjegjësive në asnjë rrethanë. Policia e Shtetit ka ushtruar kontroll të imtësishëm në banesat e të dyshuarve, ka arrestuar 4 persona sot herët në mëngjes dhe po punon për kapjen sa më parë të 3 të tjerëve të përfshirë në ngjarje”, shkruan zyrtari shqiptar në median sociale “Twitter”.

Sipas tij, çdo insinuatë tjetër “s’ka lidhje me të vërtetën dhe me punën e Policisë së Shtetit” për të çuar autorët përpara drejtësisë.

Policia e Shtetit njoftoi më herët arrestimin e katër personave për dhunën në Krujë, ku mbetën të plagosur dy persona.

Po ashtu bëhet me dije se janë shoqëruar në komisariat tetë autorët e dyshuar dhe janë shpallur në kërkim tre të tjerë.

Bëhet fjalë për konfliktin e ndodhur ditën e djeshme në një lokal në aksin rrugor Fushë Krujë-Thumanë, ku shtetasit Xh. Rr., I., Rr., dhe K. Rr., kanë goditur me sende të forta dy vëllezërit Bilbil Maja dhe Jashar Maja.

Në ambientet e Komisariatit të Policisë Krujë janë shoqëruar shtetasit: I. Rr., 23 vjeç, E. K., 27 vjeç, K. P., 57 vjeç, A. Rr., 28 vjeç, P. Rr., 65 vjeç, N. M., 35 vjeç, L.  Rr., 54 vjeç, D. Rr., 31 vjeç.

Në vijim të veprimeve hetimore është bërë ndalimi i shtetasve I. Rr., 23 vjeç, E. K., 27 vjeç, K. P., 57 vjeç,  A. Rr., 28 vjeç, për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve të zjarrit dhe i municionit”, “Moskallëzimi i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”.

Gjithashtu janë shpallur në kërkim shtetasit Xh. Rr., 65 vjeç, F. Rr., 55 vjeç, dhe K. Rr., 31 vjeç.

Referuar njoftimit, materialet i kanë kaluar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore