Shqipëria

Çmimet e mallrave të importit shënojnë rritje me 0.2% në tremujorin e dytë


Indeksi i çmimeve të importeve ka shënuar një rritje me 0,2 për qind, krahasuar me një vit më parë që ky ndryshim ishte 10,7 për qind.

Sipas INSTAT-it, ndryshimi tremujor i indeksit të çmimeve të importit në tremujorin e dytë 2023, krahasuar me tremujorin e parë 2023 shënoi një ulje me 0,7 për qind.

Sakaq, çmimet e importit të produkteve në seksionin “Furnizimi me ujë, aktivitete të trajtimit dhe menaxhimit të mbeturinave, mbetjeve” kanë shënuar rritje me 4,7 për qind, pasuar nga seksioni “Industri nxjerrëse” me 0,4 për qind rritje vjetore në tremujorin e dytë të 2023.

Kurse çmimet në seksionin “Industria përpunuese” me peshën më të madhe prej 90,6 për qind shënuan një rritje prej 0,2 për qind.

Brenda këtij seksioni rritja më e madhe e çmimeve vërehet në produktet e aktivitetit “Përpunimi i produkteve dhe preparateve farmaceutikë” me 5,3 për qind, pasuar nga “Konfeksionimi i veshjeve” me 3,1 për qind, “Shtypshkrimi dhe rigrupimi i mediave të regjistruara” me 2,9 për qind, “Prodhimi i pijeve” me 1,9 për qind dhe “Përpunimi i tekstileve” me 1,8 për qind.

Ndërkohë, “Përpunimi i produkteve ushqimore” me 1,5 për qind, “Prodhimi i produkteve minerale jo metalike” dhe “Prodhimi i pajisjeve elektrike” me 1,0 për qind secili.

Ndërkohë, çmimet në seksionin “Energjia elektrike, gazi, avulli dhe ajri i kondicionuar” shënuan një ulje prej 0,2 për qind, krahasuar me një vit më parë.

Krahasuar me tremujorin e parë 2023, çmimet në seksionin “Energjia elektrike, gazi, avulli dhe ajri kondicionuar” shënuan një ulje prej 4,1 për qind, pasuar nga seksionet “Industri nxjerrëse” me 0,8 për qind, “Furnizimi me ujë, aktivitete të trajtimit dhe menaxhimit të mbeturinave, mbetjeve” me 0,7 për qind dhe “Industria përpunuese” me 0,4 për qind.

Brenda seksionit “Industria përpunuese” ulja më e madhe e çmimeve vërehet në produktet e aktivitetit “Prodhimi i produkteve të duhanit” me 2,9 për qind, pasuar nga “Prodhimi i produkteve optikë, elektronikë, kompjuterikë” me 2,1 për qind, “Prodhimi i lëkurës dhe produkteve prej lëkure” me 1,4 për qind.

Indeksi i Çmimeve të importit mat ecurinë e çmimeve të transaksioneve të produkteve industriale të importuara për t’u shitur në tregun vendas.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore