Shqipëria

Censi 2023, INSTAT publikon rezultatet


Pritjes i erdhi fundi.

Këtë të premte të 28 qershorit Instituti i Statistikave (INSTAT) do të prezantojë rezultatet e Censit të Popullsisë dhe Banesave, të zhvilluar në vitin 2023.

Konferenca e cila do të zhvillohet në Teatrin e Operas dhe Baletit do të bëjë me dije numrin e popullsisë që jeton aktualisht në Shqipëri, numrin e banesave të regjistruara, por edhe të dhëna të tjera.

Në mënyrë të ngjashme, censi i banesave do të ofrojë numërimin zyrtar të të gjitha banesave në vend në njësinë më të vogël gjeografike, së bashku me informacionin mbi një numër të zgjedhur të karakteristikave të banesave.

Rezultatet e Censit pritet të ofrojnë bazën e fortë për planifikimin e politikave publike dhe do ndihmojnë në zhvillimin e programeve për përmirësimin e jetesës së qytetarëve.

Gjithashtu ato do të kontribuojnë në përmirësimin e infrastrukturës, si dhe do të ndihmojnë në monitorimin e progresit të vendit në arritjen e objektivave të zhvillimit të qëndrueshëm.

Censi i Popullsisë dhe Banesave 2023 është Censi i 12-të, që kur Shqipëria u shpall shtet i pavarur në vitin 1912, ku Censi i parë u krye në vitin 1923.

Që prej Censit të vitit 1989, metodologjia e tij ka ndjekur gjithnjë e më shumë rekomandimet ndërkombëtare.

Nis zyrtarisht “Censi 2023”, 50 mijë lekë gjobë për ata që nuk përgjigjen ose gënjejnë

Rrugëtimi

Procesi i Censit nisi më 18 shtator të vitit të shkuar, ku pjesë e tij ishin mbi 7 mijë e 500 anketues, mbikëqyrës dhe kontrollorë të trajnuar.

I gjithë procesi i Censit u krye në mënyrë digjitale përmes një tableti.

Pyetësori përmbante rreth 100 kategori pyetjesh për banesën, familjen, vendbanimin, punësimin apo bujqësinë dhe qytetarët kishin detyrimin që të përgjigjen.

Vetëm tre prej pyetjeve që lidhen me besimin, etninë dhe fenë ishin opsionionale për t’u përgjigjur.

INSTAT llogariti se kostoja ishte 16.9 milionë euro.

Kreu i Qeverisë, Edi Rama, siguroi se Censi do të jetë i standardeve më të larta.

Kjo duke marrë parasysh dy faktorë.

Fillimisht bashkëpunimi me partnerët francezë, zviceranë, gjermanë dhe suedezë – të njohur për saktësinë  – dhe ndihmën e BE-së me fondet.

Rama specifikoi se 55 % e shpenzimeve do të mbulohen nga Qeveria, ndërsa pjesa tjetër nga këta partnerë.

Censi 2023: 100 pyetje që kërkojnë përgjigje – çfarë ndodh kur nuk jeni në shtëpi

Hakerimi?

Në fillim të këtij viti, INSTAT njoftoi se sistemet e tij informatike kanë qenë objekt i një sulmi kibernetik të sofistikuar.

INSTAT reagoi me shpejtësi për të parandaluar dhe për të minimizuar dëmet e mundshme nga sulmi.

Ai ndërpreu menjëherë lidhjet e internetit dhe aktivizoi protokollet e emergjencës për të siguruar mbrojtjen e të dhënave dhe informacioneve statistikore.

Aktualisht, nga ekzaminimet e para të kryera nga ekspertët e Teknologjisë së Informacionit, disa nga sistemet e INSTAT janë ndikuar nga sulmi.

Por asokohe, INSTAT siguroi publikun se të dhënat e Censit nuk janë objekt i këtij sulmi, pasi janë të ruajtura në sisteme të tjera të posaçme vetëm për këtë qëllim.

Çfarë pritet në Shqipëri?

Shqipëria aktualisht po rritet shumë ngadalë për sa i përket popullsisë, me një normë rritjeje prej vetëm 0.34%.

Kjo, sipas parashikimeve të Kombeve të Bashkuara, deri në vitin 2030, popullsia e Shqipërisë pritet të jetë 3.31 milionë.

Këto projeksione parashikojnë gjithashtu një tkurrje të popullsisë së vendit pas vitit 2032, me një rënie të vazhdueshme të popullsisë deri në fund të shekullit.

Ritmi vjetor i rritjes së popullsisë në Shqipëri është luhatur midis përqindjeve të vogla në të dyja anët e zeros që nga fillimi i shekullit.

Që nga viti 2019, OKB njofton se popullsia ishte afër një ndalese duke u rritur me vetëm 0.14% në vit. Migrimi neto është relativisht i ulët, por negativ, dhe faktori më i madh që kontribuon në sasinë e ulët ka qenë lindshmëria nën mesatare.

Ritmi në rënie i rritjes në Shqipëri pritet të vazhdojë edhe në vitet në vijim, ku norma do të bëhet negative rreth vitit 2027 dhe do të zbresë në afërsisht -0.66% në vitin 2050.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore