Lajme

Celine Dion vuan nga një sindromë e rrallë neurologjike


Celine Dion vuan nga një çrregullim i rrallë neurologjik që nuk e lejon atë “të këndojë si zakonisht”.

Këngëtarja kanadeze ka sindromën e personit të ngurtë, e cila prek “një në një milion njerëz”.

Lajmi u bë i ditur nga 54-vjeçarja, në një postim emocional në llogarinë e saj të verifikuar në Instagram.

Sindroma e personit të ngurtë është “një sindromë e rrallë, progresive që prek sistemin nervor, veçanërisht trurin dhe palcën kurrizore”, sipas Institutit Kombëtar të Çrregullimeve Neurologjike dhe Stroke.

Dion ka luftuar me shëndetin e saj prej kohësh, duke shtuar se ka një ekip të madh profesionistësh mjekësorë dhe mbështetjen e fëmijëve të saj.

“Unë jam duke punuar shumë me terapistin tim të mjekësisë sportive çdo ditë për të rindërtuar forcën time dhe aftësinë time për të performuar përsëri”, tha ajo. “Por më duhet të pranoj se ka qenë një luftë”.

Fituesja e Grammy tha se të kënduarit është gjithçka që ajo di – dhe ajo që i pëlqen të bëjë.

“Më mungon shumë”, tha ajo. “Më mungon t’ju shoh të gjithëve, të jem në skenë, të performoj për ju. Unë gjithmonë jap 100 për qind kur bëj shfaqjet e mia, por gjendja ime nuk më lejon që t’jua jap këtë tani”.

Ajo falënderoi ndjekësit e saj për “urimet inkurajuese të dashurisë dhe mbështetjes nga mediat sociale”.

Shfaqjet e pranverës 2023 të Dion do të riplanifikohen në vitin 2024, thuhet në postim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore