Lajme

Cavusoglu do të vizitojë Izraelin në maj, diskutime mbi tubacionin e gazit dhe riemërimin e ambasadorëve


Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlut Cavusoglu, ka bërë me dije se do të zhvillojë një vizitë në Izrael dhe territoret palestineze me ministrin e Energjisë të vendit në mes të majit, ku do të flasin për bashkëpunimin energjetik midis shteteve.

Burimet izraelite thanë se një vizitë ende nuk është planifikuar.

Cavusoglu bëri me dije gjithashtu se do të diskutonte emërimin e ambasadorëve në Izrael me homologun e tij, Yair Lapid, gjatë vizitës në maj.

Turqia dëboi ambasadorin e Izraelit në Ankara në përgjigje të vrasjes së 61 palestinezëve gjatë protestave përgjatë kufirit me Gaza-n në vitin 2018. Turqia gjithashtu tërhoqi ambasadorin e saj në atë kohë.

Cavusoglu tha se një tubacion gazi Turqi-Izrael nuk do të ishte i mundur të realizohej brenda një afati të shkurtër, pasi presidenti turk Recep Tayyip Erdogan dhe kryeministri Naftali Bennett diskutuan këtë temë, sipas raportimeve muajin e kaluar.

Recep Tayyip Erdogan

Diskutimet ishin fokusuar në një plan të mundshëm për transportimin e gazit natyror izraelit në Evropë.

Më herët, në mars, Erdogan tha se besonte se vizita e presidentit izraelit Isaac Herzog në Turqi do të ishte një pikë kthese në marrëdhëniet e tensionuara prej kohësh midis fuqive rajonale dhe se Ankaraja ishte gati për të bashkëpunuar në sektorin e energjisë.

Presidenti ka bërë presion për marrëdhënie më të ngrohta me Izraelin në muajt e fundit në sfondin e një krize të rëndë ekonomike në Turqi dhe përpjekjeve të njëkohshme të Erdoganit për të përmirësuar lidhjet diplomatike me vendet e tjera në rajon, para së gjithash me Egjiptin dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore