Kosova

Buxheti dhe procedurat administrative shkak i mungesës së barnave esenciale në QKUK


Ilustrim

Buxheti dhe procedurat administrative për lidhjen e kontratave me kompanitë që furnizojnë me barna QKUK-në, janë shkaqet kryesore të mungesës së medikamenteve të listës esenciale në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Kështu ka deklaruar Valbon Krasniqi, Drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (ShSKUK), i cili ka shtuar se asnjëherë nuk kanë premtuar se do ta realizojnëkëtë kërkesë 100%.

“Normalisht ne asnjëherë nuk kemi thënë se mund të arrijmë t’i sigurojmë 100% barnat për shkak të kufizimeve qoftë në buxhet qoftë të procedurave për lidhjen e kontratave”, ka thënë Krasniqi për EO.

Drejtori i SJSKUK-së megjithatë potencoi se vitin e kaluar furnizimi me barna ishte më i menaxhueshëm, shkak edhe pandemia.

“Një nga objektivat kryesore gjatë vitit të kaluar përveç menaxhimit të pandemisë COVID ka qenë edhe furnizimi me barna dhe material shpenzues mjekësor. Viti 2021 ka shënuar vitin me furnizimin më të qëndrueshëm stabil dhe sasi më të mëdha të barnave për të gjitha klinikat e QKUK dhe spitalet e përgjithshme”, ka potencuar Krasniqin.

Drejtori shfrytëzoi rastin për të përmendur funksionalizimin e Spitalit Pediatrik, ndërkohë ka theksuar se ka mbetur pa u transferuar reparti i Neonatologjisë Intensive.

Ndër shqetësimet tjera në QKUK është edhe lista e gjatë e pritjes për marrje të shërbimeve, gjë të cilën Krasniqi tha se do ta reduktojnë për 50%.

“Ne po punojmë në vazhdimësi për të përmirësuar kushtet në punë edhe infrastrukturën edhe investimet kapitale qoftë në objekte e pajisje. Në sistemin shëndetësor nuk mund të themi që për dy vjet mund të arrihen përparime të mëdha, mirëpo sinjalet janë mjaft të mira”.

“Vitin e kaluar kemi filluar me një sërë shërbimesh për herë të parë duke specifikuar bradikardinë, rekonstruksionin plastik të gjirit. Po ashtu kemi filluar të funksionalizojmë edhe Spitalin Pediatrik që ofron kushte të mira. Janë funksionalizuar ambulancat e Emergjencës, e Kirurgjisë Pediatrike, ndërsa reparti i Kirurgjisë ndërkohë ka mbetur pa u transferuar Neanatologjisë Intensive”.

“Ne jemi duke i adresuar me seriozitet listat e pritjes gjatë këtij viti dhe një nga objektivat kryesore është të reduktojmë këtë listë të pritjeve brenda këtij viti në masën 50%”, përfundoi Krasniqi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore