Lajme

Bugajski: Deklarata e Milatoviç-it për Kosovën mbetet ende e paqartë


Janusz Bugajski

Janusz Bugajski, gazetar dhe njohës i dinamikave në Ballkanin Perëndimor, në një artikull të publikuar në portalin “The Geopost“, shkroi se presidenti i sapozgjedhur i Malit të Zi, Jakov Milatoviç, ka qenë kryesisht evaziv kur ka komentuar për Kosovën.

Në artikullin e tij ku trajton rezultatet e zgjedhjeve presidenciale në Mal të Zi dhe zgjedhjet e ardhshme parlamentare që priten të mbahen në qershor, ai tha se mbetet e paqartë se çfarë nënkupton Milatoviç me “respektimin e të gjitha detyrimeve ndërkombëtare” në lidhje me të ardhmen e shtetit.

“A do të thotë kjo se ai e pranon statusin përfundimtar të Kosovës dhe konfirmon pavarësinë e saj të përhershme, apo e mbështet projektin e presidentit Aleksandër Vuçiç për uljen e sovranitetit të Kosovës dhe madje rikthimin e territorit për Serbinë?”.

“Është thelbësore që kreu i ri i shtetit malazez të vizitojë të gjitha kryeqytetet rajonale, përfshirë Prishtinën, dhe të shprehë mbështetjen për marrëdhëniet dypalëshe bashkëpunuese dhe produktive me secilin fqinj”, shkroi Bugajski.

Ishte kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili në një intervistë të tij, shprehu një shqetësim të thellë për rezultatet e zgjedhjeve presidenciale në Mal të Zi, të cilat i fitoi kreu i Lëvizjes “Evropa Tani”, Jakov Milatoviç, një politikan me orientim liberal, që mori mbështetje edhe nga partitë pro-serbe dhe pro-ruse.

“Uroj të mos ndodh kësisoj dhe uroj që këta kandidatë që neve po na duken pro-rus dhe pro-serb të mos jenë të tillë, mirëpo kemi tepër indikacione e shpesh herë edhe fakte se është ashtu. Këtë të diele do t’i përcjell me shumë vëmendje dhe ethe zgjedhjet në Mal të Zi si asnjëherë më parë”, tha Kurti.

Udhëheqësi më jetëgjatë në Ballkanin Perëndimor dhe në Evropë, Milo Gjukanoviç, humbi garën elektorale ndaj tridhjetë e shtatë (37) vjeçarit, Jakov Milatoviç, një ekonomist i ri që ishte veç pesë vjeç kur Gjukanoviç dhe Partia Socialiste e Demokratëve erdhi për herë të parë në pushtet.

Megjithatë, në një intervistë për gazetën opozitare serbe “Nova”, Jakov Milatoviç, presidenti i sapozgjedhur i Malit të Zi, u pyet edhe rreth Kosovës. Pavarësia e Kosovës, tha ai, është fakt i padiskutueshëm – kjo është e qartë, u kujdes të sqaronte ai.

“Nuk është realiste të pritet që ta çnjohim Kosovën. Ne mbështesin çdo gjë për të cilën Beogradi dhe Prishtina pajtohen dhe normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet tyre do të ishte tejet i rëndësishëm për rajonin. Mali i Zi dëshiron të jetë fqinj i mirë”, tha Milatoviç.

Mali i Zi është zhvilluar si një shoqëri në një tranzicion të gjatë si një demokraci relativisht e qëndrueshme shumë-etnike deri në vitin 2020. Është i vetmi nga pesë vendet post-jugosllave (plus Shqipëria) që i ka hapur dhe mbyllur të gjitha disa kapituj negociues në negociatat e anëtarësimit me Bashkimin Evropian.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore