Kosova

Bugajski: BE s’është serioze për të marrë masa ndaj Serbisë


Janusz Bugajski

Janusz Bugajski, gazetar dhe njohës i zhvillimeve politike në Ballkanin Perëndimor, në një intervistë për “EuronewsAlbania”, nuk e ka konsideruar si sulm terrorist atë që ndodhi në Banjë të Zveçanit, por si sulm shtetëror i Serbisë ndaj Kosovës.

“Qartazi, sulmi u orkestrua nga qeveria serbe, nga shërbimi i sigurisë së Serbisë dhe qëllimi ishte të provokonte më tej tensionin dhe paqëndrueshmërinë dhe mendoj se ishte një provë për veprime të mëtejshme. Mendoj se është pjesë e një motivi përshkallëzimi që Vuçiç do e përdorte herë pas here për të minuar sovranitetin, pavarësinë dhe integritetin territorial të Kosovës”, ka thënë Bugajski.

Sa i përket masave ndëshkuese që Bashkimi Evropian mund të marrë ndaj Serbisë pas kësaj ngjarje, Bugajski pohon se në rastin më të mirë një gjë e tillë do të ndodhte, “të ketë sanksione ndaj çdo veprimi të ndërmarr nga ana e Vuçiç, përfshirë këtu sulmin ndaj trupave të NATO-s përpara disa muajsh”.

“Megjithatë asnjë masë nuk është marrë në të vërtetë. Madje ka ndodhur e kundërta. Vuçiç është lavdëruar dhe ka marrë përfitime nga më të ndryshmet nga BE-ja. Fatkeqësisht BE-ja nuk është mjaftueshëm serioze për të marrë masa serioze kundër një shteti, kundër një qeverie e cila po destabilizon rajonin. Pra, unë nuk pres ndonjë sanksion të madh nga BE-ja”, vlerëson.

Nga BE-ja deklaruan se Kosova ka mandat për hetimet e sulmit terrorist, teksa nga ana tjetër i kërkuan Serbisë që të bashkëpunojë pa kushte në këtë proces.

Mirëpo, sipas njohësit të zhvillimeve në Ballkan kjo gjë nuk do të ndodhë, derisa pyeti se “në cilat terma do të bashkëpunojnë?”.

“Nëse ata refuzojnë çdo lloj përfshirjeje në ato që janë duke ndodhur në Kosovë, qartazi ata janë duke u përpjekur të krijojnë konflikt, konflikte etnik. Po përpiqen të tregojnë sikur minoritetet janë duke u shtypur”.

“Duan të destabilizojnë vendin”, insistoi ai. “Mendoj se të gjitha këto hetimet duhet të kryhen nga ndërkombëtarët”.

Duhet të kryhen nga NATO-ja, beson Bugajski, “nga BE-ja dhe nga Shtetet e Bashkuara”.

“Kjo është mënyra e vetme t’i shkojmë në fund gjësë dhe të zbulojmë kush fshihet nga pas, përndryshe mendoj që thjesht po humbasim kohën”.

Çfarë ndodhi? 

Një grup i armatosur të dielën e 24 shtatorit, ka sulmuar Policinë e Kosovës në Banjë të Zveçanit, duke lënë të vrarë rreshterin, tanimë heroin Afrim Bunjaku.

Autoritetet e Kosovës kanë akuzuar drejtpërdrejtë Serbinë se qëndron prapa këtij sulmi terrorist, teksa kryekrimineli Milan Radojiçiç – njeri i besuar i presidentit serb Aleksandër Vuçiç – ka marrë përgjegjësinë për këtë sulm.

Radojiçiç u arrestua të martën nga autoritetet serbe, mirëpo i njëjti një ditë më pas është liruar nga paraburgimi.

Vendet perëndimore, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian e kanë dënuar këtë sulm, derisa kanë kërkuar që përgjegjësit të sillen para drejtësisë.

Nga ana tjetër, Serbia nuk është distancuar nga ky sulm, përkundrazi ka shpallur ditë zie kombëtare, për t’i nderuar kështu terroristët e vrarë.

Përveç kësaj, Beogradi zyrtar, pas sulmit terrorist, dislokoi një numër të madh të trupave ushtarake përgjatë kufirit me Kosovën.

Ky veprim i Serbisë nxiti reagimin e bashkësisë ndërkombëtare, të cilët kërkuan që menjëherë të zvogëlohet numri i trupave ushtarake.

Pas këtyre thirrjeve të qarta të ndërkombëtarëve, Beogradi njoftoi se ka filluar reduktimin e trupave ushtarake përgjatë kufirit me Kosovën.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore