Lajme

Bota në prag të pesë ndryshimeve “katastrofike” të klimës


Kriza klimatike e ka çuar botën në prag të ndryshimeve të shumta “katastrofike”.

Kështu ka rezultuar nga një studim i fundit, i cili ka zbuluar se pesë prej tyre mund të jenë kaluar tashmë për shkak të 1.1 gradëve Celsius të ngrohjes globale të shkaktuar nga njerëzimi.

Këto përfshijnë shembjen e kapakut të akullit të Grenlandës, duke prodhuar një rritje të madhe të nivelit të detit, rënien e një rryme kyçe në Atlantikun verior, duke ndërprerë shiun nga i cili varen miliarda njerëz për ushqim, si dhe një shkrirje të papritur të ngricave të përhershme të pasura me karbon.

Sakaq, në 1.5 gradë Celsius, ndryshime të tjera të rrezikshme bëhen të mundshme, duke përfshirë ndryshimet në pyjet e gjera veriore dhe humbjen e thuajse të gjitha akullnajave malore.

Studiuesit gjetën në total prova për 16 pika kthese, me gjashtë të fundit që kërkonin ngrohjen globale prej të paktën 2 gradë Celsius për t’u shkaktuar, sipas vlerësimeve të shkencëtarëve.

Ato pritet të ndodhin në periudha kohore që variojnë nga disa vite në shekuj.

“Toka mund të ketë lënë një gjendje klimatike ‘të sigurt’ përtej ngrohjes globale 1 gradë Celsius”, sipas studiuesve, me gjithë qytetërimin njerëzor që është zhvilluar në temperatura nën këtë nivel.

Kalimi i një ndryshimi katastrofik shpesh ka të ngjarë të ndihmojë në nxitjen e të tjerëve. Por kjo është ende duke u studiuar dhe nuk është përfshirë në studim.

Kështu që analiza e kryer mund të paraqesë rrezikun minimal.

Profesori Johan Rockström, i cili ishte pjesë e ekipit të studimit, ka thënë se “bota po shkon drejt 2 deri në 3 gradë Celsius të ngrohjes globale”.

“Kjo e vendos Tokën në rrugën për të kaluar pika të shumta të rrezikshme kthese që do të jenë katastrofike për njerëzit në mbarë botën”, ka vijuar ai.

Po ashtu ka treguar se për të ruajtur kushtet e jetesës në Tokë dhe për të mundësuar shoqëri të qëndrueshme, “duhet të bëjmë gjithçka që është e mundur për të parandaluar kalimin e katastrofave”.

Një raport i fundit nga Paneli Ndërqeveritar për Ndryshimet Klimatike ka nxjerrë se rreziku i nxitjes së ndryshimeve klimatike bëhet i lartë me arritjen e 2 gradëve Celsius të ngrohjes globale.

Referuar studimit, këto ndodhin kur kalohet një prag i temperaturës, duke çuar në ndryshime të pandalshme në një sistem klimatik, edhe nëse ngrohja globale përfundon.

Nëntë të identifikuarat janë: kolapsi i Grenlandës, Antarktikut perëndimor dhe dy pjesëve të shtresave të akullit të Antarktidës lindore, kolapsi i pjesshëm dhe i plotë i Amocit, ngordhja e Amazonës, kolapsi i permafrostit dhe humbja e akullit të detit dimëror në Arktik.

Ndërkohë, shkencëtarët e përcaktojnë kalimin e një rreziku të tillë si “të mundshëm” kur kalohet pragu minimal i temperaturës dhe kur ka gjasa përtej vlerësimit të pragut qendror.

Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore