Kosova

Borrell: Zotimet e Kosovës dhe Serbisë në dialog s’do të ndryshojnë, pavarësisht ardhjes së njerëzve të rinj në postet e BE-së


Josep Borrell

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian (BE) për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, në një konferencë për shtyp para takimit të nivelit të lartë në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, deklaroi se zotimet që palët kanë marrë përsipër nuk do të ndryshojnë, pavarësisht se kush është në krye të institucioneve të BE-së.

Borrell, i cili është në fund të mandatit si shef i diplomacisë evropiane, theksoi se takimi midis kryeministrit kosovar, Albin Kurti, dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, do të fokusohet në zbatimin e marrëveshjeve ekzistuese. Ai shtoi se shtetet anëtare të BE-së presin nga kryeministri Kurti dhe presidenti Vuçiç të angazhohen në implementimin e marrëveshjeve.

“Do të jetë e rëndësishme të kuptojmë se si dy palët e shohin të ardhmen e dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Për pak muaj do të ketë njerëz tjerë emra tjerë në vendin tonë, por marrëveshjet, konkluzat dhe pritjet e BE-së s’do të ndryshojnë – shtetet anëtare s’do të ndryshojnë. Zotimet e Kosovës dhe të Serbisë s’do të largohen”, shtoi ndër të tjera kryediplomati evropian.

Përfaqësuesi i Lartë dhe Emisari Special për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, do të zhvillojnë takime të ndara me të dy liderët politikë nga ora 16:30, pasuar nga një takim i përbashkët trepalësh, që pritet të nisë në orën 18:00. Do të ketë deklarata për shtyp para dhe në fund të takimeve.

“Ne do të diskutojmë se si të lëvizim përpara mbi bazën e asaj marrëveshjeje. Do të diskutojmë për hapat e ardhshëm – ajo që është dakorduar duhet të implementohet. Do të punojmë për t’i tejkaluar krizat e përditshme nëpërmjet angazhimit të plotë në procesin e dialogut”, potencoi Borrelli.

Kosova dhe Serbia arritën një marrëveshje për rrugën drejt normalizimin e marrëdhënieve në fillim të vitit të kaluar. Por, përkundër insistimit të diplomatëve evropianë se marrëveshja është ligjërisht e detyrueshme, ata nuk kanë arritur akoma t’i bindin palët që ta zbatojnë të njëjtën.

Për këtë arsye, por edhe për shkak të potencialit shpërthyes të tensioneve në pjesën veriore të Kosovës, pas më shumë se nëntë muaj pa takim të nivelit të lartë në kuadër të procesit të dialogut, kryeministri kosovar dhe presidenti serb pritet të takohen sot në Bruksel të Belgjikës për t’i vazhduar negociatat për kompromis nën ndërmjetësimin e diplomatëve të lartë evropianë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore