Aplikacione

Bolsonaro: Projektligji i ri do të kufizojë fuqinë e firmave teknologjike për të hequr përmbajtjet


Jair Bolsonaro, presidenti i Brazilit ka nënshkruar një dekret që synon të kufizojë kompetencat e kompanive të mediave sociale për të hequr llogaritë dhe përmbajtjen nga faqet e tyre.

Agjencia e lajmeve, “BBC”, tregon se për Bolsonaro-n, ndryshimi i rregulloreve ishte i nevojshëm për të luftuar “heqjen arbitrare” të profileve.

Ai ka bërë me dije se me rregullimin e realizuar, legjislacioni i ri do të ndihmojë në mbrojtjen e lirisë së fjalës.

Thuajse gjithë periudhës së pandemisë, Twitter-i dhe Facebook-u kanë hequr shumë postime të shpërndara nga presidenti dhe mbështetësit e tij, të cilat u konsideruan çorientuese.

Marrë shkas nga kjo, dekreti i ri synon të japë qartësi mbi fuqitë e kompanive të mediave sociale për të kontrolluar përmbajtjen në platformat e tyre.

Deri më tani, detajet e dekretit të lëshuar thjesht nxjerrin në pah se gjigantët e teknologjisë do të duhet të ofrojnë “kauzë të drejtë dhe motiv” para se të heqin një llogari ose përmbajtje.

Nga ana tjetër, është ende e paqartë se si do të zbatohet urdhri.

“BBC” tregon se ky njoftim vjen në prag të asaj që pritet të jetë demonstrata e madhe pro-Bolsonaro në të gjithë Brazilin.

Mbështetësit e presidentit do të protestojnë kundër Kongresit dhe Gjykatës Supreme të vendit, e cila muajin e kaluar shtoi emrin e tij në një listë të njerëzve që po hetohen për nxjerrjen e dyshuar të dezinformimeve.

Kurse kritikët janë të mendimit se marshimet, të cilat përkojnë me festimet e Ditës së Pavarësisë së vendit, përfaqësojnë një rrezik për demokracinë.

Heqja e përmbajtjeve nga mediat sociale të Bolsonaro-s dhe aleatëve të tij ka qenë e shpeshtë që nga fillimi i pandemisë.

Në korrik, YouTube-i hoqi rreth 15 video nga një kanal që i përkiste Bolsonaro-s për përhapjen e dezinformimeve në lidhje me COVID-19.

Disa nga postimet e fshira përfshinin video që promovonin përdorimin e hidroksilklorinës, një ilaç kundër malaries dhe ilaçit anti-parazitar si trajtime kundër coronavirus-it. Ndërkohë, asnjëri nuk është provuar të jetë një trajtim efektiv kundër virusit.

Vitin e kaluar, Facebook-u iu bind urdhrit të Gjykatës Supreme të Brazilit për të bllokuar llogaritë e dhjetëra aleatëve kryesorë të presidentit të akuzuar për promovimin e dezinformimeve kundër gjyqtarëve federalë.

Prej asaj kohe, Bolsonaro ka inkurajuar mbështetësit që të angazhohen me të në platforma alternative si Telegram dhe Parler.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore