Lajme

Blinken: NATO-ja u është përgjigjur vendosshmërisht aktorëve që synojnë destabilizimin e veriut të Kosovës


Antony Blinken

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka konfirmuar se në takimin e Ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve anëtare të NATO-s këtë të mërkurë (29 nëntor) në Bruksel të Belgjikës, një vëmendje e veçantë i është kushtuar edhe rrjedhës së ngjarjeve të fundit në Ballkanin Perëndimor të ngjeshur nga tensionet, sidomos mes Kosovës dhe Serbisë.

Ai ka thënë se komuniteti transatlantik nuk dëshiron të shoh rikthimin e konflikteve në rajon, duke shtuar se NATO-ja u është përgjigjur vendosshmërisht aktorëve që synojnë të destabilizojnë pjesën veriore të Kosovës të banuar me shumicë serbe, posaçërisht pas sulmit terrorist të paramilitarëve serbë në Banjë të Zveçanit në fund të muajit shtator.

“Një gjë që ne nuk duam të ndodhë në të ardhmen është kthimi i konflikteve në rajon. NATO-ja ka luajtur rol kyç që t’i ndihmojë shtetet e rajonit të bëjnë përparim në rrugën e tyre drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian (BE) dhe në stabilitetin e gjerë evropian”, ka deklaruar kryediplomati amerikan të mërkurën gjatë takimit në selinë e NATO-s.

“NATO është përgjigjur me vendosmëri ndaj aktorëve që synojnë të destabilizojnë veriun e Kosovës. Ne, siç e kemi edhe më herët gjatë këtij viti, kemi dislokuar trupa shtesë në [misionin paqeruajtës të NATO-s në Kosovë] KFOR”, ka shtuar ndër të tjera shefi i diplomacisë amerikane.

E shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka theksuar të martën se është parë dhunë serioze në pjesën veriore të Kosovës të banuar me serbë etnikës, duke iu referuar sulmit terrorist në Banjë të Zveçanit, ndërsa ka shtuar se do të ekzaminohet edhe rritja e qëndrueshme e trupave paqeruajtëse të KFOR-it, përkundër rritjes së numrit të kontigjentit të misionit prej 1 mijë trupash.

“Ajo që kemi parë në Ballkanin Perëndimor është se tensionet po ngriten. Ne kemi parë tensione të shtuara dhe retorikë nxitëse në Bosnje-Hercegovinë. Ne kemi parë dhunë serioze në Kosovë, përfshirë sulmin ndaj paqeruajtësve të NATO-s dhe incidentin në Banjë. Ne duhet të qëndrojmë të fokusuar. NATO-ja do të bëjë atë që është e nevojshme për të siguruar stabilitetin”.

Situata e rënduar e sigurisë në Ballkanin Perëndimor nën dritën e kërcënimeve ruse dhe rrjedha e tensionuar në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, kanë qenë ndër temat kryesore të takimit të Ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve anëtare të NATO-s të martën dhe të mërkurën në kryeqendren politike të bashkësisë së organizuar perëndimore.

Krerët e diplomacive të 31 shteteve anëtare të NATO-s kanë shqyrtuar mënyrën se si të zgjidhin krizën gjithnjë e më të mprehtë në veriun e trazuar të Kosovës dhe t’i hapet rrugë procesit të normalizimit të marrëdhënieve, pa përjashtuar diskutimet mbi agresionin rus kundër Ukrainës dhe konfliktin midis Izraelit dhe Palestinës në Lindjen e Mesme.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore